Cilësia në arsim, ende në fazën e ecjes ‘këmba-dorazi’

Komisioni Evropian, të mërkurën (29 maj) publikoi Raportin e Progresit për vitin 2019, për vendet që synojnë integrimin në Bashkimin Evropian.

Mes tyre, u publikua raporti 100 faqesh me rekomandime edhe për Kosovën, në të cilin janë përfshirë të gjithë sektorët, që nga sundimi i ligjit, demokracia, zhvillimi ekonomik, arsimi e deri tek mediat.

Në kapitullin që flet për gjendjen aktuale dhe rekomandimet për arsimin në vendin tonë, thuhet se Kosova ende gjendet në fazat fillestare të përgatitjes në këtë fushë dhe se dallimi në zhvillim të cilësisë së këtij sektori, që nga viti i kaluar, është ende i ulët.

Gjithashtu theksohet se rekomandimet e vitit të kaluar nuk janë adresuar, prandaj është rekomanduar që gjatë këtij viti, Kosova të miratojë një ligj të ri për arsimin e lartë, i cili siguron autonominë dhe pavarësinë e veprimit të institucioneve të arsimit të lartë.

Në janar të këtij viti, KALLXO.com kishte raportuar se si ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, në Këshillet Drejtuese të dy universiteteve publike, kishte emëruar anëtarë të partisë së tij, Nismës Socialdemokrate.

Edhe në Universitetin e Prizrenit situata ishte e njëjtë. Në ‘zhurmën’ e gjatë rreth zgjedhjes së rektorit të këtij universiteti, del që problemi qëndronte tek dilema mes përzgjedhjes së kandidatit që asoconte me Lidhjen Demokratikë të Kosovës apo me Partinë Demokratikë të Kosovës.

Duke rekrutuar anëtarë politikë në institucionet më të larta të arsimit, është e natyrshme që mos të kemi rezultate cilësore në përmirësimin e nivelit të arsimit në vendin tonë.

Në këtë raport është rekomanduar edhe përmirësimi i qasjes në arsim, për parashkollorët dhe për grupet e cenuara, finalizimi i implementimit të kornizës së re kurrikulare për shkollimin fillor dhe të mesëm, si dhe të rritet ofrimi i aftësimit profesional për profesionet që po kërkohen nga tregu.

“Kosova ka vazhduar të investojë në objektet publike të kujdesit të fëmijëve, por normat e regjistrimit ende nuk janë rritur në mënyrë të konsiderueshme. Shumë fëmijë ndjekin kujdesin privat ndaj fëmijëve, duke përfshirë ato parashkollore dhe institucione private, veçanërisht në kryeqytet”, është thënë në këtë raport.

Në maj të këtij viti, KALLXO.com gjithashtu kishte raportuar për procesin maratonik të kurrikulës për parashkollorët, iniciativë kjo e cila kishte filluar që nga viti 2014, por që përfundimisht pritet të hyjë në funksion në shtator të këtij viti.

Ndërkaq, sa i përket arsimit të lartë, raporti thotë se përqindja e numrit të studentëve, është pothuajse dyfishi i mesatares së Bashkimit Evropian, ani pse shkalla e diplomimit është më e ulët.

“Papunësia mes të diplomuarve të universiteteve është ende relativisht e lartë, pavarësisht se ka rënë në mbi 20 për qind në tremujorin e fundit të vitit 2018, duke treguar një mospërputhje mes Programeve të arsimit të lartë dhe nevojave të tregut të punës”, thuhet në raport.

Në universitetin më të madh publik në vendin tonë, Universitetin “Hasan Prishtina”, numri i studentëve arrin në 42 mijë, ndërkohë që numri i stafit akademik është 930, e që sipas përllogaritjeve i bie një profesor për 45 studentë.

Kur jemi tek numri i të punësuarve, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, nga dhjetë të rinj, katër janë të papunë.

Ekspertët nuk kanë harruar të përmendim edhe të kaluarën e ‘lavdishme’ të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, e cila në shtator të vitit 2017 ishte përjashtuar nga Regjistri Evropian për Sigurim të Cilësisë, si pasojë e ndërhyrjeve politike (ishte shkarkuar bordi i kësaj agjencie me kërkesë të kryeministrit, Ramush Haradinaj).

“Kuadri i kualifikimeve të Kosovës bazohet në Kornizën Evropiane të Kualifikimeve. Arsimi (sidomos arsimi i lartë) mbetet një sektor me rrezik të lartë për korrupsion dhe ndikim politik. Mediat dhe organizatat e shoqërisë civile vazhdimisht i ekspozojnë rastet e plagjiaturës dhe promovimeve akademike, të bazuara në ndikimin politik dhe nepotizmin, në vend të meritës, shpesh duke përfshirë profesorët në pozita të larta drejtuese. Mungesa e transparencës në rekrutimin e mësimdhënësve dhe stafit drejtues mbetet një problem në të gjitha institucionet arsimore”, është shkruar më tej.

Në shtator të vitit të kaluar, organizata ADMOVERE kishte publikuar emrat e 16 profesorëve të cilët dyshohej apo pretendohej se kishin kryer plagjiaturë. Organizata kishte mbledhur emrat e profesorëve të apostrofuar nëpër media për plagjiaturë dhe kishte hulumtuar nëse ndaj tyre ishin marrë masa nga Universiteti. Mirëpo, raporti i tyre kishte ngjallur reagimin e këtyre profesorëve.

Nxënësit e arsimit të mesëm të lartë, të cilët zgjedhin shkollimin profesional, sipas këtij raporti, në programet e arsimit dhe aftësimit profesional (VET) kanë mungesë të lëndëve praktike dhe të aplikuara, andaj edhe si pasojë, lidhja me tregun e punës vazhdon të mbetet e dobët.

Ekspertët e Komisionit Evropian kanë rekomanduar që Kosova të rrisë cilësinë e programeve apo kualifikimeve të “zanatit”, duke zhvilluar profile të reja që përputhen me nevojat e tregut të punës, në mënyrë që më pas të rekrutohen nga sektori privat.

Është ngritur edhe çështja e fëmijëve me nevoja të veçanta, për të cilët është rekomanduar që të bëhen më shumë përpjekje, për t’u siguruar këtyre fëmijëve qasje në arsimin cilësor.

“Grupi i parë prej 54 asistentëve për fëmijë apo nxënës me nevoja të veçanta, u diplomua në qershor të 2018-ës. Aktualisht janë vetëm 83 mësues mbështetës për fëmijët me aftësi të kufizuara; ata janë të angazhuar dhe të paguar nga familjet, në vend se të jenë nga sistemi arsimor”.

Numri i fëmijëve me nevoja të veçanta në Kosovë, llogaritet të jetë mbi 50 mijë. Sipas deklaratave nga zyrtarët në Ministrinë e Arsimit, në shkollat fillore dhe të mesme, janë 6 mijë e 49 nxënës me nevoja të veçanta, derisa në institucionet parashkollore, janë 99 fëmijë me nevoja të veçanta.

Autorët e këtij raporti, pozitive e kanë cilësuar pjesëmarrjen e Kosovës në të gjitha aktivitetet e programit Erasmus+ dhe në platformat e rrjeteve të tjera të përbashkëta.

“Pothuajse 2000 studentë dhe staf nga Kosova kanë qenë të përfshirë, në shkëmbime që nga viti 2015. Institucionet nga Kosova morën pjesë në 20 projekte për ndërtimin e kapaciteteve në fushën e arsimit të lartë, në katër prej tyre si partnerë koordinues.”.

Pavarësisht të dhënave në këtë raport, menaxheri i programit për Edukim në Zyrën e BE-së, Stergio Tragoudas, në nëntor të vitit të kaluar, kishte thënë se ekziston një ‘lidhje e thyer’ në mes të Komisionit Evropian, MAShT-it dhe Programit Erasmus lidhur me mundësitë për studentë.