'Kthetrat' e politikës në Universitetin e Prizrenit

Në mesin e protestave studentore, vendimeve të gjykatës e akuzave të ndërsjella, zgjedhja e udhëheqësisë së Universitetit Publik të Prizrenit në esencë po del të jetë një problem politik.

Në një mbledhje të udhëhequr nga një anëtar i NISMA Socialdemokrate, Këshilli Drejtues i Universitetit të Prizrenit është dashur të vendosë nëse do të zgjidhnin rektor dikë të asocuar me Lidhjen Demokratike të Kosovës apo Partinë Demokratike të Kosovës.

Në zgjedhjet e majit të vitit 2018 për rektor në mesin e kandidatëve ishin Ismet Temaj dhe Ramë Vataj. Temaj thotë se ka qenë anëtar i LDK-së, ndërsa tash ka marrë përkrahjen e Ministrit të Arsimit, që vije nga Nisma. E kandidati tjetër ka qenë anëtar i PDK-së, ndërsa rishtazi është zgjedhur edhe kryetar dege i PDK-së në Suharekë.

Kryesues i Këshillit Drejtues, Bedri Muhadri që në KD u delegua nga Ministria e Arsimit, është anëtar i NISMA Socialdemokrate, parti të cilës i takon edhe ministri Shyqiri Bytyqi.

Universitetet janë të parapara të jenë institucione autonome dhe të pavarura nga politika.

Procedura e përzgjedhjes së rektorit u kthye nga fillimi ndërkaq MAShT nuk e kontestoi asnjëherë atë procedurë.

Procedurën e përzgjedhjes së Ismet Temajt e kontestoi ish-rektori, Ramë Vataj dhe sekretari i përgjithshëm i universitetit, Burim Berisha, ndërsa pasi çështja shkoi në gjykatë, ai vendim u anulua dhe tani pritet të hapet konkursi i ri për rektor.

Në periudhën e ndërmjetme si ushtrues detyre, u zgjedh vetë Ismet Temaj.

Lidhur me këtë situatë pati edhe protesta nga studentët por këta studentë nga Ministri i Arsimit u quajtën të ‘manevruar’ nga menaxhmenti i kaluar. Rektor në mandatin e kaluar ishte Ramë Vataj.

Ismet Temaj tha se ende nuk ka vendosur nëse do të kandidojë përsëri për rektor, ndërsa Vataj ende nuk është deklaruar për këtë gjë.

Historiku i problemit

Këshilli Drejtues i UPZ-së më 22 maj të këtij viti në rundin e dytë të votimit zgjodhi profesorin Ismet Temaj rektor të këtij Universiteti.

Kryesuesi i Këshillit Drejtues të këtij Universiteti kishte marrë vendim më datën 30 maj për përzgjedhjen e Temajt si rektor, duke u thirrur në Statutin e Universitetit të Prizrenit dhe Rregulloren e Punës së Këshillit Drejtues

Në fakt zgjedhja u bë në sallën ku prezentë ishin katër nga shtatë anëtarët e Këshillit Drejtues të Universitetit dhe në mesin e shumë tensioneve.

Statuti i Universitetit të Prizrenit ‘Për mbajtjen e mbledhjeve të Këshillit Drejtues nevojitet kuorumi prej pesë anëtarëve, së paku katër prej tyre me të drejtë vote’.

Ky statut po ashtu parasheh që për zgjedhjen e rektorit duhen dy të tretat e votave të anëtarëve të Këshillit Drejtues.

Sekretari i Universitetit të Prizrenit, Burim Berisha, e quajti këtë zgjedhje të jashtëligjshme, pasi sipas tij në sallë nuk ka pasur kuorum dhe kandidatët nuk kanë mundur të marrin 2/3 e votave, të nevojshme për zgjedhjen e rektorit.

“Jena dalë jashtë për konsultë, deri sa ne kemi qenë jashtë, në media e kam dëgjuar se është mbajtur një rund tjetër i votimit me katër anëtarë të bordit… Këtu ka pasur shkelje se nuk ka pasur kuorum dhe nuk i ka marrë pesë vota”, tha Berisha.

Berisha po ashtu akuzoi kryesuesin e Këshillit Drejtues të këtij universiteti se ka marrë me vete materialin zgjedhor nga votimi për zgjedhjen e rektorit.

Në anën tjetër, kryesuesi i Këshillit Drejtues, Bedri Muhadri e konsideroi vendimin legjitim, duke thënë se janë të hapur ndaj ankesave.

“Rundi i parë dhe rundi i dytë është pjesë integrale dhe është një tërësi e njësuar për një çështje, po të ishte ndryshe mbi konstatimet e mia atëherë rektori do të ishte një maratonë e procesit të votimit, pasi nëse nuk kemi rezultate të duhura për një grupacion dhe lëshimi i mbledhjes do ta bënte një garë monotone dhe maratonike për zgjedhjen e rektorit”, tha Muhadri.

Muhadri thotë se vendimi ishte bazuar edhe në rregulloren për Punën e Këshillit Drejtues.

Gjykata Themelore e Prizrenit ka vendosur të ndalë ekzekutimin e vendimit të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prizrenit ‘Ukshin Hoti’ për zgjedhjen e Ismet Temajt në postin e rektorit.

Ramë Vataj, mandati i të cilit përfundon më 27 tetor, paditi Universitetin e Prizrenit, përkatësisht Këshillin Drejtues, lidhur me zgjedhjet për rektor që u mbajtën në maj të këtij viti.

Masa e përkohshme është vendosur duke u bazuar në padinë e Vatajt.

Pasi rasti kishte shkuar në gjykatë, Këshilli Drejtues kishte vendosur që procesi i zgjedhjes së rektorit të anulohet. Këshilli kishte vendosur që të ketë një proces të ri të rekrutimit. Pas këtij vendimi, Gjykata e ka hedh poshtë padinë pas vendimit të Këshillit Drejtues, meqë nuk ka më subjekt të padisë.

Inspektorja e arsimit monitoroi zgjedhjen e rektorit të universitetit ku i punon vajza

Procesin zgjedhor kontravers për zgjedhjen e rektorit të Universitetit Publik të Prizrenit më 22 maj 2018 e monitoroi një inspektore e arsimit, vajza e së cilës punon në këtë universitet.

Mejreme Nevzati ishte monitoruese nga MASHT, e vajza e saj Fevza Nevzati-Thaci është ligjëruese në UPZ.

Mejreme Nevzati thotë se ka nxjerrë një raport të monitorimit nga mbledhja një fjalë. Këtë raport ministria e Arsimit po e mbanë sekret.

Universiteti i Prizrenit për Gazetën Jeta në Kosovë ka thënë se Fevza Nevzati- Thaçi është ‘e angazhuar qe disa vite në UPZ në Fakultetin e Edukimit në gjuhën turke, lënda Edukatë Muzikore’.

“Kandidatja është PHD. C. dhe e njëjta nuk ka pasur kundër kandidat në konkursin e fundit. Edhe vitet e kaluara është pranuar e njëjta në të njëjtat kushte pa konkurrencë, pasi që ka mungesë të kuadrove të komunitetit turk në këtë lëndë. Profesoresha në fjalë është në përfundim të doktoraturës në Turqi dhe e njeh shumë mirë gjuhën turke andaj edhe është rekomanduar nga ana e Komisionit vlerësues, Këshillit të Fakultetit dhe Senati ka vendosur për rekrutim”, thuhet në përgjigjen e UPZ.

Ata kanë shtuar se së fundmi ajo ka marrë kontratë me konkursin e shkurtit, pra disa muaj pasi nëna e saj e monitoroi mbledhjen e lartcekur.

“Prof. Festa Nevzati-Thaçi ka aplikuar më datë 4 shkurt 2019 në Konkursin 01-19A të datës 28 janar 2019. Semestri veror ka filluar më 25 shkurt 2019, kohë kur ka filluar edhe marrëdhënia e sajë e punës. Ndërkaq në Semestrin dimëror ka punuar prej 1.10.2018 deri më 30.1.2019, po ashtu edhe në vitet e kaluara akademike”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Mejreme Nevzati thotë se nuk ka mundësi të ketë konflikt interesi, ndërsa thotë se ministria e zgjedhi atë për monitorim për shkak se ajo banon në Prizren,

“Po punon. Ajo qe tri – katër vjet punon aty. Është me sezonë verore dimërore. Absolut nuk mundet me qenë (konflikt interes). Unë të tregova, kam qenë vëzhguese dhe kam qenë në emër të ministrisë, nuk kam shkuar me kokën time as me idenë time. Prej ministrit ka qenë kërkesa, unë në Prizren kam qenë, prej Prishtinës nuk kanë mujtë me dërgu një inspektor për me ardhë, atëherë e kanë parë më të arsyeshme mem dërgu. Raportin e kam dërguar në ministri”, tha Nevzati.

Ministria e Arsimit e as Kryeinspektori i Arsimit nuk janë përgjigjur në pyetjet lidhur me monitorimin e Nevzatit dhe nuk kanë ofruar raportin nga ky monitorim.

GJNK nuk ka mundur të vie në kontakt me Fevza Nevzati-Thaçin.

Zgjedhja e rektorit dhe lufta politike

Më 10 janar të këtij viti, Xhavit Rexhaj, anëtar i Këshillit Shtetëror të Cilësisë, përgjegjës për akreditimin e universiteteve publike dhe private, pati shumë për të thënë për politizimin e Universitetit të Prizrenit.

Ai në një status të në Facebook tha se pas kandidatëve për rektor qëndrojnë parti politike.

“Unë mendoj se pas dy profesorëve që garojnë për këtë post qëndrojnë dy e më shumë – parti politike. Këtu nuk bëhet fjalë për koncepte të udhëheqjes universitare por për luftë ndërpartiake për kapjen e UPZ-së. Kështu si është puna, nuk ka rëndësi se kush do te fitojë këtë garë sepse qëllimet i kanë partiake e politike – kurrsesi universitare. Studentët janë këtu objekt manipulimi. Këtu askush as që lodhet për studentët e studimet”, shkroi ai.

Ai bëri thirrje që NISMA e PDK të mos e shkatërrojnë universitetin.

“Është me rëndësi që Nisma, PDK-ja dhe partitë e tjera të vendosin se nuk e vlen të shkatërrohet një universitet për tekat e dypartive. Universiteti nuk bën të jete dekorim partiak (edhe ne kemi një universitet), as burim të ardhurash për partinë, as fabrikë e titujve për militantët….Të dyja grupacionet të njëjta janë – shkatërrimtare!”, tha ai.

Bedri Muhadri, Kryesues i Këshillit Drejtues tha se anëtarësia në një parti politike nuk do duhej të ishte pengesë për zgjedhjen e një rektori.

“Unë jam anëtar i NISMA-s, Ismeti [Temaj] është anëtar i LDK-së. Kur je anëtar i thjeshtë, nuk të ndal kurgjo”, tha Muhadri

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi në një intervistë për Gazetën Jeta në Kosovë më 27 dhjetor të vitit të kaluar, ka fajësuar menaxhmentin e kaluar për bllokadë.

“Ne kemi zgjedhë në Prizren një këshill drejtues dhe në kohën kur kanë ardhur zgjedhjet për rektor kanë shkuar sipas procedurave dhe është ardhë deri te zgjedhja e rektorit. Ka qenë një rezistencë e pakuptueshme e menaxhmentit të kaluar që të pranojë ndryshimet që ka nevojë Universiteti i Prizrenit dhe gjithë kjo luftë është bërë pikërisht nga menaxhmenti i kaluar apo edhe persona tjerë që të mos ndodhë ndryshimi”, kishte thënë ai.

Ai insistoi se rektori Temaj nuk ka lidhje politike me të, e as nuk është zgjedhur me ndikimin e tij.

“Rektori nuk ka qenë çështja që është zgjedhur me ndikime por ka qenë problematika që një pjesë e Këshillit Drejtues nën ndikimin e menaxhmentit të vjetër nuk ka pranuar që po vjen një ndryshim edhe po vjen një rektor tjetër. Rektori që është zgjedhur nuk ka asnjë lidhje politike, nuk vjen nga partia prej të cilës vi unë. Ka qenë një votim i vëzhguar… dhe është tentuar që nga menaxhmenti i vjetër të bëhet një bllokadë brenda këtij universiteti. Tashmë Këshilli Drejtues e ka zgjedhur një ushtrues detyre. E ka anluar vendimin për zgjedhjen e rektorit”, tha Bytyqi.

Ushtruesi i Detyrës së Rektorit, Ismet Temaj pretendon se ky universitet mbetet i pandikuar nga politika.

”Unë tash e 6 vite nuk kam shkelur pragun e asnjë partie politike. Madje edhe kohë më parë kur kam qenë i angazhuar kam qenë në subjektin politik të LDK-së, e kjo është e ditur për të gjithë”, tha Temaj në një prononcim për KALLXO.com

Universiteti i Prizrenit i udhëhequr përkohësisht nga Temaj nuk ishte pjesë e ‘protestës’ së Konferencës së Rektorëve të cilët kërkuan shkarkimin e Ministrit e Arsimit Shyqriti Bytyqi.

“E konsideroi të paarsyeshme kërkesën e tyre për shkarkimin e Ministrit, sepse ne jemi universitete që kemi synimet tona. Duhet të merremi me çështje që i takojnë universiteteve e jo çështje politike duke kërkuar shkarkimin e ministrit apo çështje tjera politike”, tha Temaj në shkurt të këtij viti.

Lidhur me të gjithë këtë çështje kishte edhe protesta të studentëve.

Dje, Këshilli Drejtues i UPZ-së ka mbajtur mbledhje dhe pritet që konkursi për rektor të shpallet këto ditë.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për procesin e zgjedhjes së rektorit në UPZ dhe raportimet mund t’i gjeni në këtë link.

Bedri Muhadri, Kryesues i Këshillit Drejtues tha se anëtarësia në një parti politike nuk do duhej të ishte pengesë për zgjedhjen e një rektori.

“Unë jam anëtar i NISMA-s, Ismeti [Temaj] është anëtar i LDK-së. Kur je anëtar i thjeshtë, nuk të ndal kurgjo”, tha Muhadri

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi në një intervistë për Gazetën Jeta në Kosovë më 27 dhjetor të vitit të kaluar, ka fajësuar menaxhmentin e kaluar për bllokadë.

“Ne kemi zgjedhë në Prizren një Këshill Drejtues dhe në kohën kur kanë ardhur zgjedhjet për rektor kanë shkuar sipas procedurave dhe është ardhë deri te zgjedhja e rektorit. Ka qenë një rezistencë e pakuptueshme e menaxhmentit të kaluar që të pranojë ndryshimet që ka nevojë Universiteti i Prizrenit dhe gjithë kjo luftë është bërë pikërisht nga menaxhmenti i kaluar apo edhe persona tjerë që të mos ndodhë ndryshimi”, kishte thënë ai.