Procesi maratonik i kurrikulës për parafillorët përfundon në shtator

Kurrikula e re që rregullon procesin arsimor për fëmijët deri në 5 vjeç pritet të hyjë në funksion këtë vit.

Lidhur me këtë kurrikulë pati dhjetëra vendime, disa grupe të ndryshme punuese dhe disa drafte të ndryshme të këtij dokumenti.

Janë bërë pothuajse pesë vjet që kur Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) ka marrë vendim për formimin e grupit punues për hartimin e kurrikulës bërthamë për edukim në fëmijërinë e hershme 0-5 vjeç. Kjo iniciativë ka filluar në vitin 2014.

Vitin e kaluar MASHT-i e kishte hedhur në diskutim publik draftin e parë të kësaj kurrikule, mirëpo pas vërejtjeve të shumta ishte tërhequr për rishikim. Ky dokument pas rishikimit dhe ristrukturimit ka dalë sërish në platformën e diskutimeve publike.

Gazeta Jeta në Kosovë ka kontaktuar me anëtaren e komisionit të dytë për rishqyrtim Arlinda Beka, njëherësh këshilltare politike e ministrit Bytyqi, për të marrë informacione nëse dokumenti i kurrikulës do të jetë i gatshëm për vitin shkollor 2019-2020.

Arlinda Beka, ka thënë për GJnK se dokumenti është ristrukturuar në masë të madhe për shkak të mungesave që ka pasur në draftin e parë.

Sipas saj, ky dokument ka dalë në diskutim publik dhe tashmë në kohë prej dy javësh, do të inkorporohen në tekst të gjitha komentet e marra nga institucionet relevante.

Beka thotë se komentet që kanë marrë nga ekspertët pas diskutimit publik janë komente konstruktive dhe janë gjëra që me të vërtetë i mungojnë dokumentit.

Po ashtu ajo thotë se edukatoret e kopshteve do ta kenë dokumentin e kurrikulës nga shtatori i vitit 2019.

Ministria e Arsimit ka sqaruar për gazetën Jeta në Kosovë se pse është vonuar me nxjerrjen e kësaj kurrikule.

Valmir Gashi, këshilltar në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka thënë se në dokumentin kurrikular kanë identifikuar se nuk janë trajtuar shumë gjëra, të cilat janë me shumë rëndësi për zhvillimin dhe edukimin e fëmijëve e sidomos për punën e edukatoreve që do të duhej ta bëjnë me fëmijët.

“Disa nga gjërat të cilat janë identifikuar që nuk janë trajtuar siç duhet janë: Përmbajtje e tepruar e aspekteve teorike, informacione të cilat duhet të ofrohen nga Fakultetet e Edukimit e jo të jenë pjesë e kurrikulës bërthamë (p.sh Teoria e Masllovit). Loja si pjesë kryesore përmes së cilës fëmijët zhvillohen dhe nxënë pothuajse fare nuk është trajtuar. Bashkëpunimi me familjen është një çështje tjetër që i ka munguar dokumentit të mëparshëm. Si dhe pavarësisht që ky dokument i është dedikuar fëmijëve të grup moshës 0-5 vjeç, mosha 0-3 vjeç fare nuk është trajtuar në dokument. Këto kanë qenë disa nga arsyet madhore për të cilën është marrë vendim që dokumenti duhet të rishikohet”, ka thënë Gashi.

Pas diskutimit të parë publik të kësaj kurrikule, MASHT ka emëruar një grup tjetër për rishikim.

“Çdo grup punues ka një periudhë kohore të caktuar. Rreth kësaj mund të themi se grupi i mëparshëm e ka tejzgjatur punën me dokumentin, por ajo çfarë është e rëndësishme për ne është se janë identifikuar këto mungesa dhe kemi krijuar një grup tjetër për rishikim”, ka deklaruar këshilltari Gashi.

Gashi po ashtu ka thënë se personat e grupit të dytë punues janë persona të kualifikuar, të cilët e njohin mirë fushën duke filluar nga ekspertiza  profesionale në fushën e politikave arsimore,  hartimeve të dokumenteve kurrikulare, ekspertë të fushës për zhvillimin dhe të nxënit e fëmijës, si dhe ekspertë të metodologjisë së punës me fëmijë.

Emërimi i grupit të ri punues për rishikim të kurrikulës, ka ngjallur pakënaqësi te grupi i mëparshëm punues i përbërë prej 13 anëtarësh.

Gazeta JnK ka pranuar në adresë të saj ankesa për grupin e dytë punues.

Labëri Luzha, koordinatore e grupit të parë punues, ka thënë se vendimi për emërimin e grupit të ri punues është politik.

“Vendimet politike kanë ndikuar që të tejzgjatet procesi i hartimit të kurrikulës. Ne jemi njoftuar nga mediat që MASHT, gjatë muajit nëntor kishte emëruar një grup tjetër punues, i përbërë nga 5 anëtarë, me qëllim për ta rishikuar dokumentin”, ka thënë ajo.

Koordinatorja Luzha ka thënë se në fund të vitit 2014, sekretari i atëhershëm i MASHT, Xhavit Dakaj, kishte kërkuar nga Divizioni për Edukim Parashkollor, të fillojë hartimin e dokumentit bërthamë për kurrikulën 0-5 vjeçare.

Ajo thotë se grupi punues ishte miratuar nga sekretari i përgjithshëm në MASHT dhe se në vitin 2015 kanë punuar për nëntë muaj në këtë dokument.

Tutje Luzha shpjegon se gjatë punës ishte paraqitur nevoja për një ekspert ndërkombëtar, për çka kishin negociuar me UNICEF-in në Kosovë dhe ata kishin angazhuar eksperten ndërkombëtare Sharon Lyn Kagan.

Drafti i kësaj kurrikule, kishte kaluar në diskutim publik për një muaj, gjatë vitit 2018-të, ku janë marrë komente dhe sugjerime.

Luzha ka thënë se MASHT-i nuk e ka informuar grupin e parë punues për formimin e grupit të ri për rishikim.

“Pa ndonjë informatë paralajmëruese, në muajin gusht 2018 është ndryshuar vendimi i grupit të punës. Me vendim të ri janë bërë ndryshime në udhëheqjen e grupit dhe janë shtuar emra tjerë. Grupi nuk kishte asnjë informatë për nxjerrjen e vendimit të ri. Me këtë ndërhyrje, puna është stopuar dhe më nuk kishte asnjë informatë, as për të vazhduar punën e as për ta ndërprerë punën”, ka thënë Luzha.

Në dokumentet e siguruara nga JnK del se grupi i mëparshëm punues, disa herë ka kërkuar takim me ministrin Bytyqi për të biseduar rreth procesit, por sipas tyre, asnjëherë nuk kishin pranuar përgjigje.

Procesi maratonik për finalizimin e kurrikulës 0-5 vjeç

MASHT ka nxjerrë gjashtë vendime për të ardhur deri te përfundimi i kësaj kurrikule.

Me 12 nëntor të vitit 2014, Ministria e Arsimit kishte nxjerrë vendim për themelimin e grupit punues në cilësinë e koordinatorëve/ bashkë koordinatorëve për hartimin e kurrikulës bërthamë për nivelin 0.

Sipas vendimit, këta persona ishin angazhuar për periudhën nëntor 2014 deri në nëntor 2015.

Mirëpo, ky grup, nuk kishte nxjerrë asnjë dokument gjatë kësaj periudhe.

Më pas në vitin 2016  me datën 22 korrik MASHT kishte nxjerrë vendim për formimin e grupit punues për finalizimn e kurrikulës bërthamë për edukimin parashkollor të moshës 0-5 vjeç.

Me këtë vendim MASHT kishte angazhuar Imrane Ramadanin, Labëri Luzhën, Shqipe Gashin, Feime Llapashticën, Nazan Safqi, Mustafë Kadriun, Rexhep Kastratin, Mevlude Aliun, Arbër Salihu, Besa Zagragja, Ryve Prekorogja, Fehmi Krasniqi, Zehrije Plakolli, Drita Haxhaj dhe Elhame Llapashtica.

Të gjithë këta persona kanë qenë të angazhuar nga data 1 korrik deri më 31 dhjetor të vitit 2016.

Nga ky grup, nuk ka pasur asnjë dokumente të nxjerrë për periudhën sa kanë qenë të angazhuar.

Më pas në një vendim tjetër të datës 21 prill 2017 MASHT kishte nxjerrë edhe një vendim për grup punues për finalizimin e kurrikulës.

MASHT kishte angazhuar për periudhën 20 prill 2017 deri më 20 shtator 2017, Imrane Ramadanin, Labëri Luzhën, Mustafë Kadriun, Mevlude Aliun, Zehrije Plakollin, Ganimete Kulinxhën, Mimoza Shahinin, Merita Shalën, Bleta Hoxhën, Kimete Hoxhën, Kozeta Imamin dhe Saranda Çekun.

Puna e këtij grupi punues ka dalë në diskutim publik gjatë vitit 2018 mirëpo pas vërejtjeve të shumta ishte tërhequr për rishikim.

Pas diskutimit publik, ky grup punues kishte marrë rekomandimet me datën 21 maj 2018.

Me datën 25 qershor të vitit 2018 MASHT kishte emëruar një grup punues për të bërë inkorporimin e komenteve të marra gjatë diskutimit publik të dokumentit të kurrikulës bërthamë.

Imrane Ramadani, Labëri Luzha, Igballe Cakaj, Merita Shala, Mimoza Shahini, Ganimete Kulinxha, mevlude Aliu, Zehrie Plakolli, Kimete Hoxha, Bleta Hoxha, fatime Demolli, Sofie Zeka dhe Kozeta Imami ishin emëruar nga MASHT për të bërë ristrukturimin e kurrikulës pas komenteve të marra pas diskutimit publik.

Personat e lartcekura kanë qenë të angazhuara për periudhën qershor-shtator 2018.

Me datën 17 gusht të vitit 2018 MASHT kishte nxjerrë një vendim të njëjtë për inkorporimin e komenteve dhe rekomandimeve të dala nga diskutimi publik duke e shfuqizuar vendimin e datës 25 qershor.

Imrane Ramadani, Arlinda Beka,Labëri Luzha, Luan Sahitaj, Merita Shala, Mimoza Shahini, Ganimete Kulinxha, Mevlude Aliu, Zehrie Plakolli, Kimete Hoxha, Bleta Hoxha, Fatime Demolli, Sofie Zeka dhe Kozeta Imami do ta rishikonin dhe ristrukturonin dokumentin e kurrikulës.

Personat e lartcekura sipas vendimit kanë qenë të angazhuara për periudhën qershor- shtator 2018.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në nëntor të vitit 2018 ka formuar grupin punues për rishikimin e dokumentit të kurrikulës bërthamë.

Ryve Prekoragja, Imrane Ramadani, Arlinda Beka, Zamira Hyseni dhe Rozafa Ferizi- Shala janë grupi i fundit i emëruar nga MASHT për rishikimin e dokumentit.

Arlinda Beka është edhe këshilltare politike e ministrit aktual, Shyqyri Bytyqi.

Imrane Ramadani, udhëheqëse e Divizionit për Arsimin Parashkollor në Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë.

Ryve Prekorogja, Udhëheqëse e Divizionit për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsim për të Rritur.

Zamira Hyseni – Duraku, Profesoreshë në Departamentin e Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës.

Rozafa Ferizi- Shala, Asistente për Grup lëndësh nga Pedagogjia në Universitetin e Prishtinës.