BE kritikon Ministrinë e Arsimit se  nuk po i përcjellë tek studentët kosovarë mundësitë e Erasmus+

Menaxheri i programit për Edukim në Zyrën e BE-së, Stergio Tragoudas tha se ekziston një ‘lidhje e thyer’ në mes Komisionit Evropian, MASHT-it dhe Programit Erasmus lidhur me mundësitë për studentë.

Sot është hapur Dita e informimit për Programin Erasmus+, program ky i cili mundëson që studentët e të  të gjitha niveleve të studimeve të informohen për procesin e aplikimit në këto bursa.
Programi Erasmus + ofron mbështetje financiare për studentët dhe stafin akademik që të promovohen në ngritjen e tyre në studimet e nivelit të lartë.

Erasmus Plus ofron gjithashtu edhe fonde për programe dhe projekte të ndryshme që kanë të bëjnë me arsimin e lartë.

Gjatë kësaj dite të informimit, menaxheri i programit për Edukim në Zyrën e BE-së, Stergio Tragoudas foli edhe për “lidhjen e thyer”, siç e quajti ai, mes Komisionit Evropian, MASHT-it dhe Programit Eramsus + sepse sipas tij, MAShT-i nuk po punon mjaftueshëm që të forcohet kjo lidhje për përfitimin e bursave të studentëve kosovarë nga këto fonde.

“Zyra e BE-së po i sjellë programet e zhvillimit të arsimit në Kosovë dhe MAShT nuk po i përcjell në mënyrë të duhur ato, prandaj kjo është përgjegjësi e tyre.”, theksoi ai.

Këshilltari politik i ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Fehmi Hysenaj ka thënë se Arsimi në Kosovë vazhdon të mbetet sfida kryesore e shoqërisë sonë dhe se përpjekjet për zhvillimin e cilësisë së arsimit do të jenë të vazhdueshme.

Ai gjithashtu tha se pjesëmarrja në këtë program jep mundësi të shumta për zhvillim personal akademik sepse është mundësi për të studiuar në institucionet arsimore më të mira në Evropë.

“MAShT ka nënshkruar marrëveshje me BE-në për pjesëmarrje të avancuar në këtë program prandaj kemi mbështetjeje për reforma në arsim, teknologji dhe informacion. Rreth 700 studentë dhe staf akademik në vit, i përdorin këto skema për studime të larta. Erasmus + është mundësi e jashtëzakonshme që u është dhënë të rinjve tanë.”, ka thënë ai.

Ndërsa, menaxheri i programit të Edukimit në Zyrën e BE-së në Kosovë, Stergios Tragoudas tha se Zyra e BE-së në Kosovë tashmë ka ngritur fonde për zhvillimin në edukimin e lartë në Kosovë. Ai tregoi që nga viti 2008 janë investuar më shumë se katër milionë euro në procesin e edukimit dhe paralajmëroi që ky ritëm do të vazhdojë edhe më tej.

Mirëpo, Tragoudas ngriti dyshime në procesin e ndarjes së këtyre fondeve kur bëri thirrje që personat që do t’i shfrytëzojnë këto fonde ta bëjnë atë në mirëbesimin e dhënë.

“Ne po flasim për studime në fushat e nevojshme në Kosovë edhe pse kjo nuk po shkon në drejtimin e duhur. Eramsus ka një target të madh ne përmirësimin e këtij niveli por është e rëndësishme edhe transparenca e institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë. Ka pasur raportime të ndryshme që fondet nuk janë përdorur për arsyet qe janë marrë.”, ka thënë ai.

Numri i studentëve që kanë shfrytëzuar mundësitë e ofruara nga Erasmus + sipas menaxherit të programit, ka shkuar në më shumë dy mijë studentë dhe vetëm për vitin e kaluar më shumë se 700.

Tragoudas gjithashtu u bëri thirrje studentëve që të aplikojnë për këto bursa sepse siç tha ai, “kemi nevojë për motivimin dhe aftësitë e të rinjve të Kosovës”.

Zyrtari i projektit në zyrën Erasmus, Goran Lazic tha se varësisht prej nivelit të studimeve, studentët që aplikojnë për këtë bursë, do të pranojnë 700 deri në 800 euro në muaj gjatë qëndrimit në shtetin partner të këtij programi ku edhe do t’i vazhdojnë studimet dhe se shpenzimet e tjera si udhëtimi apo ushqimi do të jenë të mbuluara.

“Buxheti për vitin e ardhshëm do të jetë pesë milionë euro për këtë program. Deri tani kemi pasur vetëm dhjetë studentë që kanë përfunduar me sukses studimet Master. Vetëm studentëve të Ballkanit do t’u jepen këto pesë milionë euro, pra studentët nga Kosova, Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia mund të aplikojnë.”, ka thënë ai.

Studimet Bachelor, Master dhe Doktoratë në periudha të shkurta kohore zgjasin nga tre deri në 12 muaj. Ndërsa ato për stafin akademik nga 5 ditë deri në dy muaj.