Foto: BIRN

Katër nga dhjetë të rinjtë e Kosovës të papunë

Nga dhjetë të rinj në Kosovë katër janë të papunë. Këtë e tregojnë të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës ku shkruhet se niveli i papunësisë për grup-moshat 25 deri 35 është 40.1%, kjo nënkupton se nga 10 të rinj në Kosovë 4 nga ta janë të papunë.

Niveli i lartë i papunësisë në mesin e të rinjve i atribuohet më së shumti mungesës së një komunikimi në mes programeve të studimit dhe tregut të punës.

Për të orientuar rininë në programe të studimit në vend ekzistojnë disa qendra të karrierës.

Sipas, Valbona Rracit, përfaqësuese e EYE Helvetas këto qendra duhet analizuar tregun dhe duhet rekomanduar universitetin për përshtatje të kurrikulës, me synim përmbushjen e kërkesave të tregut.

Në Kosovë janë të regjistruara disa qendra për zhvillim të karrierës që funksionojnë në kuadër të universiteteve, si: Qendra për Zhvillim të Karrierës e Universiteti te Prishtinës (QZHK-UP), QZHK e Universitetit Amerikan (A.U.K) ose QZHK e Universitetit të Biznesit dhe Teknologjisë (UBT).

Bazuar në analizat e tregut të punës, shumica e të rinjve të papunësuar janë të diplomuar nga universitetet publike.

Tetida Podrimcaku nga kompania Ipko thotë se kanë pasur problem me rekrutimin e studentëve të rinj për shkak të burokracisë.

Kemi tentuar t’i dërgojmë konkurset tona edhe në disa fakultete të Universitetit të Prishtinës, por nuk kemi marrë asnjëherë përgjigje në e-mailat tanë dhe si rrjedhojë nuk kemi arritur të kuptojmë nëse ato konkurse janë shpërndarë te studentët” thotë Podrimçaku.

Abdylkerim Ratkoceri nga kompania “Meridian” është i bindur se studentët e vendit neglizhojnë punën dhe përvojën praktike.  “Te të rinjtë në Kosovë ekziston problemi se nënvlerësohet praktika e ky mentalitet duhet ndryshuar.  Nuk munden menjëherë me u ngritë në pozita të larta pa i kalu disa hapa tjerë. Pra, praktika është më se e domosdoshme” thotë Ratkoceri.

Halil Bashota, përfaqësues i Universitetit të Biznesit dhe Teknologjisë (UBT), është i mendimit se trekëndëshi universitet, student dhe industri paraqet një nevojë tashmë jo vetëm obligim institucional, pasi qe një pjesë e kurrikulave dhe programeve mësimorë e shohin praktikën të përfshirë në lëndët bazë, ku synohet që studenti të arrijë këto shkathtësitë praktike. Ngjashëm me UBT edhe Universiteti Amerikan (A.U.K) praktikën e ka të integruar si pjesë të kurrikulës. Studentët e këtij institucioni e kanë detyrë kompletimin e 400 orëve të praktikës tek partneret biznesor”, thotë Arlinda Hajdari përfaqësuese e këtij universiteti.

Në universitetin publik praktika nuk është pjesë e kurrikulës , prandaj studentët duhet të individualisht të kryejnë praktikën ose punësohen. Kjo shkaku se institucioni në fjalë nuk po krijon mundësi e as stimulim për studentët e tyre. Zyrtarët e UP-së nuk kanë pranuar të flasin për këtë problematikë.

Përveç praktikës, shkaku kryesor për mos punësimin e të rinjve është mospërputhja e profileve që po diplomojnë nga universitetet, me profilet që kërkohen nga tregu i punës. Kjo mospërputhje e kërkesave mes institucioneve vjen si pasojë e mungesës së hulumtimeve mbi dinamikat e tregut të punës.

Era Jashari përfaqësuese e Odës Ekonomike Kosovës (OEK) thotë se kompanitë private njërën ndër sfidat kyçe të tregut të punës e kanë gjetjen e punëtorëve të kualifikuar ose profileve të caktuara.

“Çuditërisht në njërën anë ekziston një numër shumë i madh i të papunësuarve, e në anën tjetër këta të papunësuar nuk janë të kualifikuar për tregun e punës”, thotë Jashari.

Hendeku i aftësive që vjen si rezultat i mungesës së profileve adekuate ka ndikuar në jo-efikasitetin e tregut të punës. Sipas sondazheve mbi kërkesat e kompanive private, profilet më të kërkuara në Kosovë janë ato që kanë të bëjnë me: shitje, burime njerëzore, shërbime për konsumator, ose teknologji.

Autorja  Shkëlqesa Basholli është bursiste e grantit të financuar nga projekti ‘Mbështetja e Luksemburgut për shoqërinë civile në Kosovë’, financuar nga Qeveria e Dukës së Madh të Luksemburgut dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Qeverisë së Dukës së Madh të Luksemburgut dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).