Ministrja Nagavci s'raporton në Komisionin për Arsim, kritikohet nga LDK-ja

Në Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturё, Rini dhe Sport ku po shpërfaqet që gjendja e edukimit fizik, shëndetësor dhe sportiv të nxënësve në shkollat e të gjitha niveleve, nuk po merr pjesë ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci, ani pse është lajmëruar që ajo do të raportonte në komision.

Nga Fakulteti i Edukimit Fizik të Universitetit të Prishtinës po kërkohet që të merren masa për shtimin e aktiviteteve fizike dhe të orëve mësimore nga dy herë në javë në më shumë gjatë javës, për shkak se sipas tyre gjendja në shkolla është alarmante.

Vlora Dumoshi, anëtare e Komisionit nga radhët e Lidhjes Demokratike e Kosovës ngriti shqetësimin që në një diskutim aq të rëndësishëm për arsimin pse nuk po merr pjesë ministrja Nagavci.

“Nuk është arsye. Nëse tjerave hera nuk do të vjen, ju lutem mos e vendosni në agjendë”- u kundërpërgjigj Dumoshi, pas arsyetimit të Ardian Golës, kryetar i Komisionit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Gola tha që ministrja nuk ka arritur të jetë e pranishme për shkak të agjendës së planifikuar, ani pse ishte përcaktuar që të marrë pjesë.

“Ministrja Nagavci ka pasur një agjendë të ngarkuar dhe nuk ka arritur të jetë pjesë sot. Po mendoj që kemi përfaqësues”- tha Gola gjatë raportimit.

Florian Miftari, Prodekan për çështje mësimore në Fakultetin e Edukimit Fizik tha që gjendja në shkolla në aspektin e aspektit fizik dhe shëndetësor.

“Rreth 2 mijë fëmijë i kemi testuar në të gjithë Kosovën dhe kemi parë që gjendja është shqetësuese. Kemi krahasuar me Kroacinë dhe kemi parë që kanë shumë orë të shëndetit fizik, 5 orë”- tha Miftari.

Sipas tij, si institucion kërkojnë që të ndërmarrim hapa konkretë sa më shpejt në këtë çështje.

“Është koha e duhur dhe e fundit që të marrim diçka në këtë aspekt edhe pse e dimë pse ka implikime buxhetore”- tha ai.

Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport po diskuton lidhur me gjendjen e edukimit fizik, shëndetësor dhe sportiv të nxënësve në shkollat e të gjitha niveleve.