Foto: ZKM

Kurti për punën e Qeverisë më 2023: Kemi miratuar 564 vendime

Pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, kryeministri Albin Kurti së bashku me ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, kanë mbajtur një konferencë për media.

Kryeministri Kurti e ka filluar konferencën duke përmendur të arriturat e Qeverisë brenda këtij viti.

Në vitin 2023 Qeveria e udhëhequr nga Kurti i ka mbajtur gjithsej 62 mbledhje, në të cilat duke llogaritur edhe vendimet që janë marrë në mbledhjen e sotme, janë miratuar 564 vendime, prej të cilave 78 projektligje, 66 emërime, 18 koncept-dokumente, 5 nisma legjislative, 23 projekt-rregullore, 8 udhëzime administrative dhe 366 vendime të tjera.

Kryeministri përmendi faktin se përmes Ministrisë së Financave këtë vit kanë lansuar platformën “Super Puna”, nëpërmjet të cilës ai tha se janë punësuar rreth 8,500 të reja e të rinj, nën moshën 25-vjeçare.

Gjithashtu, Kurti kujtoi se e kanë krijuar skemën pensionale, parciale, kontributive për pensionistët që janë përjashtuar nga puna gjatë viteve ’90-ta.

Në fushën e drejtësisë, Kurti ka thënë se këtë vit u finalizua pakoja e Vettingu-t, u themelua me ligj Instituti për hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës, si dhe u miratua Ligji për byronë shtetërore për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit, Kosova u shpall nikoqire e Lojërave Mesdhetare 2030 dhe u anëtarësua në Organizatën ndërkombëtare – Shoqata Europiane e Kartës Rinore.

Në fushën e arsimit, Kurti ka përmendur arsimin dual, i cili u implementua në 21 shkolla në 14 komuna të Kosovës, me 12 profile. 

Më tej, kryeministri e ka vlerësuar punën e Ministrisë së Arsimit, e cila e ka filluar rishikimin e teksteve shkollore të lëndës së gjuhës shqipe dhe matematikës, për klasat 1 deri 9, si dhe ka organizuar për herë të parë konferencën ndërkombëtare STEM-inst, me anë të së cilës promovohet arsimi profesional i grave dhe i vajzave në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës (STEM).

Në fushën e shëndetësisë, sipas kryeministrit Kurti, me Ligjin e ri të pagave mjekët kanë pagë më të dinjitetshme, teksa këtë vit është trefishuar numri i inspektorëve në këtë fushë.

Ndërsa, për bujqit dhe fermerët në vitin 2023 Kurti ka thënë se ata kishin buxhetin më të lartë me mbi 100 milionë dhe se nuk kanë borxhe ndaj tyre.

“Ky vit ka qenë sfidues sidomos në pjesën veriore të vendit, jemi sulmuar por kemi ngadhënjyer. Ky vit ka qenë i rëndë, sepse sulmet të cilat janë zhvilluar njëherë kanë qenë për të bllokuar qarkullimin, e më pastaj edhe për të goditur personelin tonë të sigurisë. Këtë vit në komunat në veri të vendit janë shënuar edhe disa arritje të tjera, të cilat e përmirësojnë jetën e qytetarëve” – ka deklaruar kryeministri Kurti.

Me këtë rast, ai ka thënë se pas më shumë se dy dekadave janë hapur zyret kadastrale e komunale në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok. Ka filluar rindërtimi dhe renovimi i shtëpive të shqiptarëve që janë dëmtuar në priudhën e luftës.

Vendimin për liberalizimin e vizave kryeministri Kurti e ka quajtur “arritje të Qeverisë dhe pa dyshim arritje e përbashkët”.

Kurse, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, e ka përshkruar vitin 2023 si “vit i fundit i izolimit”, sa i përket liberalizimit të vizave. 

Sipas ministres Gërvalla, në vitin 2023 është investuar në sigurinë dhe mbrojtjen e vendit si kurrë më parë. 

Kosova gjatë këtij viti është anëtarësuar në katër organizata të rëndësishme ndërkombëtare.

“Kemi luftuar me sukses fushatën e Serbisë për çnjohje (të Kosovës), duke rikthyer madje edhe çnjohje nga e kaluara dhe duke konkretizuar edhe marrëdhëniet bilaterale me shtete më të largëta në fusha bashkëpunimi. Është më se e qartë se vendet e BE-së që ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës kanë kryesisht arsye të brendshme politike” – ka thënë ministrja Gërvalla.