Edukimi fizik në shkolla në nivel alarmant, kërkohen veprime urgjente për ndryshim të gjendjes

Gjatë një diskutimi në Komisionin parlamentar për Arsim, Kulturё, Rini dhe Sport, më datë 12.03.2024, është vlerësuar se edukimi fizik në shkolla është në nivel alarmant. Me këtë rast janë kërkuar edhe veprime të menjëhershme institucionale për ta ndryshuar këtë gjendje.

Rekomandimi kryesor i Fakultetit të Edukimit Fizik në Universitetin e Prishtinës është që të shtohet numri i orëve mësimore për edukim fizik në shkollat e Kosovës, e jo të mbetet vetëm 2 orë siç është aktualisht, në mënyrë që fëmijët mos ta vuajnë me shëndetin e tyre. Ndër tjera, u kërkua që të shtohet numri i mësimdhënësve të edukatës fizike dhe të bëhet avancimi i infrastrukturës së nevojshme.

Prodekani për çështje mësimore në Fakultetin e Edukimit Fizik, Florian Miftari tha që gjendja është shqetësuese dhe për këtë arsye e kanë thirrur këtë takim.

“Rreth 2 mijë fëmijë i kemi testuar në të gjithë Kosovën dhe kemi parë që gjendja është shqetësuese. Kemi bërë krahasim me Kroacinë dhe kemi parë që kanë shumë orë të shëndetit fizik, 5 orë”- tha Miftari.

Sipas tij, është koha e duhur dhe e fundit që të ndërmerret diçka në këtë aspekt pavarësisht implikimeve buxhetore.

Dekani i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit, Musa Selimi tha që 20 për qind e fëmijëve të Kosovës janë më pak të zhvilluar se fëmijët e rajonit.

“Vendi ynë i ka vetëm dy orë të edukatës fizike në javë, gjë që është shqetësuese. Situata është shumë kritike. Ju lus të na ndihmoni në këtë aspekt. Nuk mundet një mësuese që merret me matematikë e gjuhë shqipe të merret me edukatë fizike. Deri tash kemi hasur në veshë të shurdhër”- tha Selimi.

Ndërkaq, Faton Tishukaj nga Fakultetit i Edukimit Fizik në Universitetin e Prishtinës tha që një mori sëmundjesh po paraqiten te fëmijët si pasojë e mungesës së aktiviteteve fizike.

Fundja, ai tha që nuk po kërkojnë asgjë speciale, por po kërkojnë diçka të realizueshme.

“Sipas të  dhënave që kemi rreth 30% e fëmijëve dhe adoleshentëve në Kosovë kanë obezitet, andaj duhet të rrisim normën e aktivitetit fizik. Unë kisha preferuar 5 orë në javë” – tha ai.

Leonora Shala, koordinatore për programet për edukim fizik nga Ministria e Arsimit tha që edhe pse është sfidë çështja e orëve mësimore ka edhe mundësi tjera jashtë kurrikulare.

“Ne e dimë që ka shumë nevojë të jenë 4 ose 5 orë si në shtetet tjera, por ne mund t’i bëjmë këto me aktivitete ekstra-kurrikulare”- tha ajo.

Edhe pse ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci nuk ishte e pranishme në këtë komision, nga institucioni që ajo drejton u tha që deri më tani janë ndërtuar 69 salla të sportit, ndërkaq në ndërtim janë 11 salla të sportit.

Arjeta Fejza, deputete e Vetëvendosjes tha që janë në dijeni që orët mësimore janë të pakta, por Qeveria ka punuar në këtë aspekt dhe ka projekte në aspektin fizik.

“Falë kësaj Qeverie është bërë shumë në edukimin në shkolla”- tha ajo.

Ardian Kastrati nga Partia Demokratike e Kosovës njëherësh anëtar i Komisionit tha që shteti ka para për ta shtyrë përpara këtë çështje, duke ironizuar me deputeten e Vetëvendosjes, Arjeta Fejza e cila tha që falë Qeverisë Kurti tema e edukimit fizik është rikthyer në temë në Kosovë.

“Jo 30 minuta efektiv, por nuk ka fare. E shoh te fëmijët e mi”- tha Kastrati.

Vlora Dumoshi, nga radhët e LDK-së shprehu shqetësimin që ka shkolla në Prishtinë që salla të edukatës fizike nuk ka, e ora fizike mbahet në klasë.

Ndërsa, Enis Kervan, zëvendëskryetar i dytë i Komisionit nga Partia Turke në Kosovë tha që nga mungesa e librave në gjuhën turke si komunitet joshumicë ka bërë që ta harrojnë temën e edukimit fizik, e që është shumë e rëndësishme.