Gjykimi i Limajt dhe të tjerëve | Foto: KALLXO.com

Avokati i Limajt Kërkon Përjashtimin e Gjyqtares

Avokati i Fatmir Limajt Karim Khan kërkoi sot përjashtimin e gjyqtares Maria Tuma.

Khan kërkesën për përjashtim të gjyqtares e arsyetoi me të kaluarën e saj. Tha se Tuma ishte pjesë e Prokurorisë së Tribunalit të Hagës në ndjekjen penale të ish-komandantëve të UÇK-së Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj.

Prokurori Charles Hardaway e kundërshtoi propozimin e avokatit të Limajt për përjashtimin e gjyqtares duke thëne se nuk ka bazë ligjore për kërkesën e avokatit.

Pas kërkesës së avokatit Khan dhe diskutimit për të, seanca ndaj Limajt dhe të tjerëve u caktua më 5 tetor. Deri atëherë duhet të merret vendimi për përjashtimin ose jo të Maria Tuma-s.

Edhe para tri ditësh është kërkuar një përjashtim tjetër në këtë seancë. Më 13 shtator prokurori Charles Hardaway kërkoi përjashtimin e Florent Latifajt, avokatit të Nexhat Krasniqit, me arsyetimin se ai përveçse mbron Krasniqin është edhe avokat i Adem Grabovcit.

Grabovci pritet të dëshmojë në procesin kundër zyrtarëve ish-Ministrisë së Transportit, pasi më herët ishte zëvendësministër i saj.

Latifaj që është mbrojtës i Krasniqit dhe Grabovcit, ishte edhe këshilltar i jashtëm i ministres së Drejtësisë Dhurata Hoxha.

Ai dje hoqi dorë nga kjo pozitë për të vazhduar të jetë avokat i Nexhat Krasniqit.

http://kallxo.com/kerkohet-perjashtimi-i-avokatit-te-grabovcit/

Fatmir Limaj akuzohet për shpërdorim detyre dhe krim të organizuar në kohën sa drejtonte ish-Ministrinë e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit.

Në procesin e njëjtë me Limajn për të njëjtat akuza nga Prokuroria Speciale e Kosovës po ngarkohen edhe Nexhat Krasniqi e Endrit Shala. Pjesë e gjykimit janë edhe Shpëtim Telaku dhe Florim Suka.