Foto: Kallxo.com

NPB mbuloi pozita me ushtrues detyre jashtë afateve ligjore

Zyra Kombëtare Auditimit (ZKA) në raportin për pasqyrat financiare të Ndërmarrjes Publike Banoresore të Prishtinës (NPB) për vitin 2022 ka identifikuar 9 raste që ndërmarrja i kishte mbuluar me pozita si ushtrues detyre të cilët kishin tejkaluar afatet ligjore të angazhimit.

Sipas raportit të ZKA-së, disa nga këta UD mbulonin pozitat e sekretarit të ndërmarrjes nga viti 2021, udhëheqës të divizionit juridik nga viti 2019, udhëheqës të administratës nga 2022, etj.

Në raport thuhet se kjo ka ndodhur pasi ndërmarrja nuk kishte zhvilluar procedura të rekrutimit për të mbuluar pozitat e rregullta.

Sipas Zyrës së Auditimit, praktika e mbulimit të pozitave me UD për periudha të gjata kohore përveç që nuk është në pajtueshmëri me legjislacionin, rrezikon që pozitat të menaxhohen nga personat që nuk i përmbushin kriteret e nevojshme.

Bazuar në rregulloren e brendshme për Pagat, Shtesat në pagë dhe kompensime të tjera të punonjësve të NPB-së, përcaktohet se: në rastet kur një pozitë mbetet vakante për shkak të pushimit vjetor, mjekësor, etj., por jo më shumë se 30 ditë, zëvendësimi bëhet me anë të sistemimit të përkohshëm në pajtim me nenin 18 të Ligjit të Punës, dhe 14.5 përcakton se: pas përfundimit të periudhës sipas paragrafit. 14.4 të këtij neni, Kryeshefi Ekzekutiv detyrohet të caktoj ushtrues/e detyre për pozicionin vakant, për një periudhë 6 (gjashtë) mujore.

NPB është ndërmarrje e Komunës së Prishtinës, me kapital publik. Kjo ndërmarrje ka në kompetencë menaxhimin dhe ruajtjen e pasurisë së saj e cila përbëhet prej patundshmërisë ku përfshihen banesa, lokale afariste, depo, garazha dhe truall.