Pelmetin. Foto: OSBE

Avokati i Popullit konstaton shkelje të të drejtave në banim të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Obiliq

Avokati i Popullit ka publikuar një raport lidhur me mungesën e kushteve të përshtatshme për banim të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, të kthyer në Obiliq nga Maqedonia e Veriut.

Ky raport synon që të tërheqë vëmendjen e qeverisjeve lokale dhe qendrore për nevojën e ndërmarrjes së veprimeve për të krijuar kushte të dinjitetshme dhe të përshtatshme të jetesës për të kthyerit në fshatit Plemetin.

Në raport konstatohet se ka shkelje të Kushtetutës dhe të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

“Avokati i Popullit ka konstatuar se ka shkelje të së drejtës për ta zgjedhur vendbanimin, e drejtë kjo e garantuar me nenin 35 të Kushtetutës, dhe shkelje të Nenit 1 të Protokollit 12 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, i cili shtrin fushën e mbrojtjes për “çdo të drejtë të parashikuar nga ligji” dhe vendos një ndalim të përgjithshëm të diskriminimit, që nënkupton situata kur çështja bie në fushën e veprimit të një të drejte substanciale të garantuar nga ligji i brendshëm” – njofton institucioni i Avokatit të Popullit.

Avokati i Popullit ka vlerësuar se kjo çështje duhet të zgjidhet përmes bashkëpunimit të Ministrisë për Kthim dhe Komunitete dhe Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal me Komunën e Obiliqit.

Rekomandimi i dhënë për Ministrinë për Komunitete dhe Kthim është krijimi i kushteve për kthim të qëndrueshëm, mbrojtje, integrim dhe zhvillim të komuniteteve, bazuar në misionin dhe vizionin për të cilin është themeluar si institucion shtetëror.

Ndërsa, për Komunën e Obiliqit është rekomanduar ndërmarrja e veprimeve për krijimin e kushteve të përshtatshme për banim për familjet e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, të kthyera në fshatin Plemetin, pavarësisht vendbanimit të tyre të mëparshëm, në përputhje me Ligjin për Financimin e Programeve të Veçanta të Banimit në Republikën e Kosovës.

Po ashtu, rekomandohet që të kihet parasysh zbatimi i Rregullores për Kthimin e Personave të Zhvendosur dhe Zgjidhje të Qëndrueshme, në kuptim të ndarjes të tokës komunale me të drejta të shfrytëzimit në pajtim me këtë rregullore dhe me legjislacionin përkatës në fuqi.

Avokati i Popullit ka vlerësuar se janë shtresuar ndër vite çështjet që janë adresuar lidhur me të kthyerit në fshatin Plemetin si procesi dhe mënyra e kthimit, përqendrimi i të kthyerve në një hapësirë të caktuar, mungesa e pronës, fakti se të kthyerit nuk kanë qenë banorë të këtij lokaliteti më parë, reagimi dhe mënyra e pranimit të të kthyerve nga komuniteti pritës, mungesa e regjistrimit në regjistrat e gjendjes civile e të tjera.