Foto: Zyra Kombëtare e Auditimit, Facebook
ZKA dhe Njësia Qendrore Harmonizuese rrisin bashkëpunimin përmes një memorandumi
Zyra Kombëtare e Auditimit, e udhëhequr nga Vlora Spanca, dhe Njësia Qendrore Harmonizuese në Ministrinë e Financave, e udhëhequr nga Agim Krasniqi, kanë nënshkruar memorandum mirëkuptimi.
Qëllimi i tij, sipas ZKA-së, është bashkëpunimi në përmirësimin e cilësisë së auditimit të brendshëm me fokus në qeverisjen, vlerësimin dhe menaxhimin e rrezikut, si dhe ngritjen e cilësisë së raporteve të auditimit të brendshëm.
“Memorandumi parasheh bashkëpunim ndërinstitucional në implementimin e programit të trajnimit për zhvillimin e vazhdueshëm profesional për auditorët e brendshëm, shkëmbimin e njohurive dhe praktikave të mira të punës, organizimin e punëtorive dhe seminareve të përbashkëta, si dhe mbajtjen e takimeve për çështje të ndryshme në fushën e auditimit të jashtëm dhe të brendshëm me qëllim të mbështetjes së ndërsjellë profesionale” – ka njoftuar Zyra Kombëtare e Auditimit.
ZKA thotë se me këtë memorandum ajo pajtohet që t’i ofrojë mbështetje profesionale Njësisë Qendrore Harmonizuese në fushën e metodologjisë dhe qasjes audituese në proceset e planifikimit dhe ekzekutimit të auditimit përmes trajnimeve dhe formave tjera të edukimit të vazhdueshëm profesional për auditorët e brendshëm.
Palët janë marrë vesh edhe për shkëmnbim të informatave të nevojshme që rrisin cilësinë e punës audituese.