Gazmend Hoxha

Policia prezanton punët dhe sfidat me të cilat u përball gjatë vitit 2023

Policia e Kosovës ka prezantuar arritjet për vitin 2023 me theks në sfidat me luftim të krimit, korrupsionit dhe situatën e sigurisë në veri të vendit ku më 24 shtator zyrtari policor Afrim Bunjaku mbeti i vrarë në sulmin terrorist në Banjskë.

Prezantimi filloi me një minutë heshtje për heroin Afrim Bunjaku dhe të gjithë heronjtë e tjerë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla u shpreh se viti që po lëmë e ballafaqoi vendin dhe policinë me sulme të një pas njëshme të strukturave të Serbisë ndaj zyrtarëve policor.

“Përmbyllet një vit sfidues për sigurinë e Kosovës, por i suksesshëm për Policinë e Kosovës. Lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar e terrorizmit nuk ka alternativë. Bota po përballet me luftëra dhe kërcënime serioze të sigurisë, të cilat kanë prekur edhe vendin tonë”- u shpreh ai.

Derisa, drejtori i përgjithshëm i policisë, Gazmend Hoxha prezantoi raportin me statistika për veprat penale, konfiskime, vrasje e cenimin e sigurisë në veri të vendit.

Sipas tij, kidnapimi i zyrtarëve tanë policor nga strukturat policore të Serbisë, që janë futur thellë në Kosovë ka qenë një prej sulmeve më të rënda.

“Situata e sigurisë në Republikën e Kosovës ka qenë përgjithësisht e qetë përveç në veri ku ka pas sulme terroriste të orkestruara nga Qeveria e Serbisë. Protesta dhe sulme të dhunshme të grupeve kriminale e terroriste kanë sulmuar qytetarët, KFOR-in, Policinë, sidomos pas vendosjes së kryetarëve shqiptarë në veri”- u shpreh Hoxha.

Ai shtoi se të gjithë jeni të njoftuar me betejën e Banjskës dhe suksesin e policisë.

“Sigurinë e kanë cënuar edhe sulmet e djegia e automjeteve me targa të Kosovës”- shtoi më tej Hoxha.

“Kemi pas të raportuara 46 mijë e 50 raste, prej tyre 26 mijë e 384 vepra penale. Është rritur numri i raportimit të rasteve. Ka rënie prej 15% të lëndimeve trupore, nga 20 janë rritur vrasjet në 28. Veprat penale të narkotikëve nga 69 në 85”- thuhet në raportin e shpalosur nga Hoxha.

Sipas rapotit, rastet e dhunës në familje janë në rënie.

“Kemi menaxhuar 629 protesta dhe aktivitete tjera, shumica e tyre në pjesën veriore të vendit. 4,831 persona janë ndaluar, mbi 13 mijë të arrestuar, janë konfiskuar 1,286 armë zjarri, në Banjskë janë konfiskuar 80 copë municione dhe 107 armë zjarri”- thuhet tutje në raport.

Derisa, nga 18 raste të terrorizmit, shumica janë në veri të vendit.

“Janë shkatërruar 23 grupe kriminale. Janë konfiskuar mbi 519 mijë para të gatshme si dhe mbi 593 kg marihuanë, bimë kanabisi mbi 21 mijë dhe kokainë 5 kg”- thuhet në raport.