Ilustrimi: KALLXO.com

Platforma për rrjedhjet financiare të paligjshme në Ballkanin Perëndimor, si qëndron Kosova

Iniciativa Globale Kundër Krimit Transnacional (GI-TOC) ka projektuar një platformë online për rrjedhjet e financave të paligjshme (IFFs) në Ballkanin Perëndimor. Kjo platformë ofron një pasqyrë të shkurtër dhe praktike të përgjigjeve të gjashtë vendeve rajonale ndaj IFFs duke ndjekur masat qeveritare; çështjet e njohura më parë nga GI-TOC dhe raportet e vlerësimit reciprok; me theks rolin që shoqëria civile mund të luajë në kundërshtimin e IFFs; dhe ofrim të rekomandimeve konkrete të politikave.

Në Ballkanin Perëndimor, ka njohuri të kufizuara për IFFs përfshirë zyrtarët e qeverisë, shoqërinë civile dhe sektorin privat.

Mungesa e njohurive teknike dhe ekspertizës në këtë fushë midis organizatave të shoqërisë civile bën që IFFs shpesh të ikin nga vëzhgimi i tyre, duke çuar në boshllëk në monitorimin e tyre.

Si qëndron Kosova?

Sipas kësaj platforme, për Kosovën, rrjedhjet financiare të paligjshme (IFFs) janë shqetësim i rëndë, që është tregues i numrit të lartë kriminal, përfshirë krimin financiar, tregtimin e mallrave të falsifikuara, drogat, trafikimin e njerëzve dhe kontrabandën, krimet kibernetike dhe tregtimin e armëve.

Në raport theksohet se korrupsioni raportohet si një faktor që shtyn dhe lehtëson rrjedhjet financiare të paligjshme, IFFs. Kosova renditet e 84-ta nga 180 vendet në Indeksin e Percepsioneve të Korrupsionit të ‘Transparency International’ për vitin 2022.

“Forma të shpeshta të korrupsionit raportohen nga viti 2019 deri në vitin 2022 dhe përfshijnë abuzimin me pozitat zyrtare, ryshfetin, konfliktin e interesit dhe nepotizmin. Zonat e identifikuara si të prekshme nga korrupsioni përfshijnë prokurimin në sektorin publik, shëndetësinë, subvencionet qeveritare, lejet dhe licencat, dhe ndërmarrjet publike”- thuhet në këtë raport.

Derisa, është regjistruar progres i kufizuar për adresim të kërcënimeve nga IFFs.

“Edhe pse autoritetet hetuan disa raste të lidhura me transaksione në zonat e ‘ofshore’ të përdorura për pastrimin e fitimeve që dilnin nga vendi, fitimet e konsiderueshme të paligjshme – përfshirë edhe evazionin masiv të taksave – besohet të mbeten brenda Kosovës”- thuhet me tej në raport.

Sipas këtij raporti, janë evituar rreth 8 milionë euro keqlexim i tarifave doganore nga viti 2020 deri në vitin 2022.

“Informaliteti mbetet sfidë, me ekonominë e Kosovës, informaliteti i shpërndarë në ndërtim dhe sektorin e shërbimeve, veçanërisht në hotele, restorante, tregti dhe transport, gjithashtu e lehtëson pastrimin e fitimeve të paligjshme në këto sektore”- thuhet më tej në këtë platformë.

Sfidat e Kosovës

Raporti potencon se përgjigja e Kosovës ndaj IFFs përqendrohet kryesisht në sistemin financiar formal, veçanërisht në përpjekjet kundër pastrimit të parave. “Kuptimi i rolit të tregtisë dhe informalitetit mbetet i kufizuar”- thuhet në raport.

“Korniza ligjore dhe rregullative është e përfunduar dhe nuk është mjaft e konsoliduar me standardet e BE dhe ato ndërkombëtare, veçanërisht në fushën e luftës kundër pastrimit të parave, informacionit mbi pronësinë e dobishme dhe ri-përdorimit social të pasurive të konfiskuara”- theksohet tutje.

Raporti po ashtu thotë se në aspektin e bashkëpunimit, korniza e Kosovës për ndihmën ligjore reciproke në çështje penale është nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Drejtësisë.

“Krimi i organizuar, pastrimi i parave dhe financimi i terrorizmit po bëhen gjithnjë e më të natyrshme dhe bashkëpunimi e shkëmbimi i informacionit me vende dhe organizata të tjera është vendimtar në luftën kundër këtyre rrjedhjeve”- thekson raporti.

“Edhe pse entitetet raportuese bëjnë shpërndarjen e rregullt të informacionit për identifikimin e pronësisë dhe kontrollit të personave juridik, mungesa e një baze të dhënash për pronësinë e dobishme pengon shpërndarjen efikase të informacionit”- thekson raporti.

Në raport janë dhënë edhe rekomandime për Kosovën në luftim më të mirë të rrjedhës së parave të paligjshme:

-Inkurajohet njohje më e gjerë e IFFs dhe rreziqeve që ndërlidhen më të, të kuptohen dhe menaxhohen më mirë rreziqet e lidhura me tregtinë dhe ekonominë informale.

-Të forcoj kornizën ligjore me standardet e BE dhe ndërkombëtare, përfshirë rishikimin e ligjit për luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

-Të nis përpjekjet bashkëpunuese mes qeverisë, shoqërisë civile dhe medias për të zhvilluar fushata për të ngritur ndërgjegjësimin e publikut për ndikimin negativ të IFFs në ekonomi, zhvillim dhe mirëqenien sociale.

-Qeveria dhe donatorët duhet të ofrojnë mbështetje financiare organizatave të shoqërisë civile dhe medias në përpjekjet e tyre për të zbulim të këtyre rasteve, etj.

Platforma është një nga aktivitetet kryesore në kuadër të projektit ‘Luftimi i Rrjedhjeve të Financave të Paligjshme në Ballkanin Perëndimor’, i cili mbështetet nga Agjencia Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) dhe Ministria Norvegjeze e Punëve të Jashtme.