Internews Kosova publikon raportin ‘Diskriminimi sistematik në hapësira dhe punësim’

Internews Kosova ka prezantuar raportin “Diskriminimi sistematik në hapësira dhe punësim”.

Ky raport ka gjetur se ligjet në Kosovë nuk po zbatohen në shumë pika kur bie fjala tek diskriminimi ndaj grupeve të margjinalizuara.

Ndalimi i diskriminimit, punësimi, mundësitë për avancim profesional, qasja e papenguar në hapësira të kujdesit shëndetësor dhe asistenca sociale janë disa prej obligimeve që i ka marrë Kosova, por që këto obligime ligjore nuk po zbatohen në teren.

Raporti ka mbledhur të dhëna nga pesë komuna dhe Universiteti i Prishtinës.

Të dhënat janë mbledhur në ndërtesat e komunave, në qendrat e mjekësisë familjare dhe në shkollat më të mëdha publike në komunat përkatëse.

Flaka Fazliu dhe Valon Fana, autorë të këtij raporti tregojnë se shumë zyrtarë kanë treguar se nuk kanë njohuri për disa prej ligjeve që ndalojnë diskriminimin.

“Më tepër se 20 institucione i kemi mbikëqyrur dhe audituar. Kemi mosrespektim të Kushtetutës dhe ligjeve. Kushtetuta nuk toleron asnjë lloj diskriminimi, por realiteti po del diskriminues. Nuk po përmbushen kërkesat ligjore të mbrojtjes nga diskriminimi, punësimin e personave me aftësi të kufizuar, ligjin për arsimin parauniversitar dhe atë për barazinë gjinore” – deklaroi Fazliu.

Ajo shtoi se nga mbi 20 institucione të monitoruara, janë gjetur më pak se 10 punëtorë me aftësi të kufizuar duke e krahasuar me mbi 3 mijë të punësuar në këto institucione.

Fazliu thotë se ka dallime edhe në institucionet e Komunave, ku nuk ka barazi ligjore në pozicionet vendimmarrëse(drejtori).

“Në disa shkolla, mbi 80% e punësuarave janë gra kurse drejtori është burrë, kjo është shqetësuese dhe mosrespektim i ligjit. Kemi vërejt edhe mospunësimin e komuniteteve pakicë. Pjesëtarët e komuniteteve nuk janë pjesë e udhëheqësive të shkollave” – shtoi Fazliu.

Shumica e shkollave, sipas këtij raporti kanë probleme me ofrimin e qasjes në objekt (sidomos në katin e dytë) për nxënësit me aftësi të kufizuara. Edhe Universiteti i Prishtinës ka telashe me ofrimin e qasjes për personat me aftësi të kufizuar, sipas raportit, mungojnë pjerrinat dhe ashensorët.

Gazetari Valon Fana thotë se nga hulumtimet në teren kanë gjetur se në Universitetin e Prishtinës, nga qindra të punësuar, nuk ka asnjë person me aftësi të kufizuar të punësuar në te.

“Kemi pa që në këtë institucion nuk është asnjë i punësuar nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas. Në Komunën e Prishtinës kemi pa që shkollat e kësaj komuna kanë probleme me qasje për personat me aftësi të kufizuar, nuk kanë as lifte; tualete për personat me aftësi të kufizuar; akustika dhe sinjalistika. Qendrat e Mjekësisë Familjare ofrojnë qasje” -deklaroi Fana.

Qendra për Punë Sociale në anën tjetër nuk ofron qasje për personat me aftësi të kufizuara.

“Pallati i Rinisë është objekt i vjetër dhe ka telashe të mëdha me qasje. Nga institucionet në Prishtinë vërehet punësim i ulët nga personat me aftësi të kufizuara. Pabarazi ka edhe në punësimin e grave dhe personave nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas” – shtoi Fana.

Përveç UP-së dhe kryeqytetit, ky raport ka hulumtuar edhe Komunën e Gjilanit, Graçanicës, Lipjanit dhe Vitisë.

Gjendja edhe e këtyre komunave është jo e mirë sa i përket qasjes, e punësimit të grupeve të margjinalizuara.