Viola von Cramon

Viola von Cramon: Është koha që të hiqen të gjitha masat e vëna ndaj Kosovës

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Cramon, ka deklaruar se raporti i Komisionit Europian për Kosovën vë në dukje progresin në shumë refoma, përfshirë atë zgjedhore dhe luftën kundër krimit të organizuar.

Ajo përmes rrjetit “X” ka theksuar se është koha që Kosovës t’i hiqen të gjitha masat derisa shtoi se Komisioni konfirmoi që qytetarët e Kosovës mund të lëvizin pa viza në BE nga 1 janari i vitit 2024.

“E rëndësishme, raporti i Komisionit Europian për Kosovën thekson progresin në shumë fusha reformuese, përfshirë reformën zgjedhore dhe luftën kundër krimit të organizuar. Komisioni gjithashtu ka konfirmuar se qytetarët e Kosovës do të udhëtojnë lirshëm drejt BE-së  që nga 1 janari 2024”- ka shkruar von Cramon.

Ajo po ashtu potencoi se duhet të hiqen të gjitha masat e vëna ndaj Kosovës.

“Zbatimi i të gjitha marrëveshjeve të kaluara në dialogun e udhëhequr nga BE-ja dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, si dhe reformat e mëtejshme të sundmit të ligjit, përfshirë drejtësinë, janë kyçe për rrugën e Kosovës drejt BE. Më në fund, është koha që të hiqen të gjitha masat ndaj Kosovës”- shtoi tutje von Cramon.

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, i ka dorëzuar Raportin e Komisonit Europian për Kosovën kreut të Kuvendit, Glauk Konjufcës dhe zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi.

Në raport i është dhënë theks dialogut me Serbinë, rëndësisë për zbatim të marrëveshjeve të arritura si dhe situatës në veri të Kosovës, ku potencohet se sulmi në Banjskë ishte kriza më e rëndë që i ka ndodhur procesit të dialogut.

Raporti i Komisionit Europian: Sulmi në Banjskë të mos shërbejë për devijim nga dialogu

www.kallxo.com