Komuna e Skenderajt, Foto: Facebook

Komuna e Skënderajt u dha kontratë OJQ-ve që nuk i plotësuan kriteret

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se në vitin 2020, Komuna e Skenderajt në dy thirrje për ofrimin e mbështetjes financiare për fushën e kulturës, rinisë dhe sportit ka shpërblyer përfituesit me kontratë pa plotësuar një kriter.

Sipas raportit, thirrja publike e datës 02.07.2020 dhe 30.07.2020 ishte kërkuar kriteri për aplikim se para nënshkrimit të kontratës duhet të paraqesë prova se personi përgjegjës në OJQ dhe menaxheri i projektit nuk janë nën hetime për vepra penale, si dhe prova se kanë të zgjidhur çdo çështje të hapur rreth pagesës së kontributeve dhe tatimeve.

Auditori ka identifikuar nëntë raste në të cilat përfituesit janë shpërblyer me kontratë për mbështetje financiare në mungesë të dëshmive se personi përgjegjës në OJQ dhe menaxheri i projektit nuk janë nën hetime për vepra penale.

Prej tyre pesë ishin në fushën e kulturës dhe katër në fushën e sportit.

Sipas auditorit, kjo gjendje ishte si pasojë e mungesës së kontrolleve dhe pakujdesisë së Komisionit të themeluar për vlerësimin e aplikacioneve.

“Mungesa e dokumenteve për përmbushjen kritereve në procesin e vlerësimit të aplikantëve, përveç që mund të dëmtoj kredibilitetin e procesit, mund të rezultojë që komuna bashkëpunon me OJQ/individë të papërshtatshëm”, thuhet në raportin e Auditorit.

ZKA ka rekomanduar kryetarin që t’i forcojë kontrollet mbi menaxhimin e subvencioneve dhe të sigurojë që subvencionet ndahen në përputhje me kriteret e vendosura në thirrje publike.