Rektori i ri i UP-së, Arben Hajrullahu, Foto: KALLXO.com

Ballafaqimi i rektorit të ri të UP-së me dyshimet e Parlamentit Studentor se nuk i ka të përfunduara studimet bachelor

Para se të zgjidhej profesori Arben Hajrullahu rektor i ri i Universitetit të Prishtinës, Parlamenti Studentor ka hedhur disa pretendime dhe dyshime përmes email-it, më 06.08.2024, për Hajrullahun dhe kandidaten që garoi për postin e rektorit, Eda Vula.

Në reagim, Parlamenti Studentor pretendon se Eda Vula dyshohet për plagjiaturë në temën e saj të doktoratës, kurse për Arben Hajrullahun dyshojnë se nuk i ka të përfunduara studimet themelore bachelor dhe se është themelues i dy organizatave joqeveritare.

KALLXO.com e ka pyetur Parlamentin Studentor të UP-së dhe UP-në për këto pretendime, mirëpo nuk ka pranuar përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

Kurse, Hajrullahu pasi u intervistua nga Këshilli Drejtues i UP-së, më 07.08.2024 u ballafaqua me mediat në lidhje me pretendimet e Parlamentit Studentor.

Dhe Eda Vula e ka mohuar se ka plagjiaturë në temën e saj të doktoratës “Zgjidhja e problemeve matematikore dhe vlerësimi i tyre”.

Arben Hajrullahu është profesor i rregullt në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës dhe sot është zgjedhur rektor i ri i UP-së, me gjashtë vota për nga anëtarët e Këshillit Drejtues të UP-së.

Eda Vula është profesoreshë e rregullt në Fakultetin e Edukimit në Universitetin e Prishtinës dhe njëherit kryesuese e përkohshme e Senatit të UP-së nga data 29.04.2024. Vula garoi për rektor të UP-së, por nuk mori asnjë votë nga anëtarët e Këshillit Drejtues të UP-së.

Pretendimet, Parlamenti Studentor i UP-së i ka adresuar te një numër mediash dhe tek anëtarët e Këshillit Drejtues të UP-së.

Këto pretendime ata i kanë bazuar në disa artikuj të mediave në Kosovë, që kanë raportuar më parë për Eda Vulën dhe Arben Hajrullahun.

“Në këtë konkurs kemi gjithsej katër kandidat potencial për t’u zgjedhur në këtë pozitë, nga gjithsej katër kandidatët për t’u zgjedhur Rektor, te dy nga ta kemi hasur dyshime të cilat lehtësisht mund ta kthejnë UP-në në cak të sulmeve të ndryshme” – ka shkruar Parlamenti Studentor më 06.08.2024.

Pretendimet e Parlamentit Studentor të UP-së për Hajrullahun janë se ai është themelues i organizatave joqeveritare me emrat ‘Instituti për Promovimin e Metodës Shkencore’ dhe ‘Center for Political Courage’.

Për shkak të pretendimeve se Hajrullahu është themelues i organizatave joqeveritare të përmendura, Parlamenti Studentor i UP-së ka vlerësuar se kjo paraqet konflikt interesi.

“Për profesorin në fjalë figuron që është themelues i disa organizatave joqeveritare… Kjo dyshohet që paraqet edhe konflikt interesi pasi një profesor universitar të jetë drejtor për OJQ” – kanë thënë nga Parlamenti Studentor i UP-së.

Sistemin Elektronik të Organizatave Joqeveritare, në organizatën joqeveritare ‘Center for Political Courage’, Arben Hajrullahu figuron se është themelues dhe përfaqësues i autorizuar i saj.

Ndërsa, në organizatën joqeveritare ‘Instituti për Promovimin e Metodës Shkencore’, Hajrullahu figuron vetëm si themelues i saj.

Tutje, për Hajrullahun Parlamenti Studentor i UP-së ka hedhur dyshime rreth studimeve themelore bachelor të tij, duke u mbështetur në disa artikuj të mediave ku raportohet se Hajrullahu nuk ka dëshmi se i ka përfunduar studimet bachelor.

Se a është e vërtetë se profesori Arben Hajrullahu, tashmë rektori i zgjedhur i UP-së nuk ka dëshmi se i ka të përfunduara studimet themelore bachelor, KALLXO.com e ka pyetur UP-në dhe Këshillin Drejtues të UP-së, por nuk ka marrë përgjigje.

Sipas Hajrullahut, kur ishte zgjedhur profesor i rregullt në UP, ishte kritikuar se nuk ka studime bachelor të përfunduara. Për këto ai vlerëson se janë shterur diskutimet.

Ju njoftoj juve gazetarëve dhe gjithë opinionin publik se unë jo vetëm që nuk i kam studimet bachelor të përfunduara, por nuk e kam të përfunduar, nuk kam dëshmi që e kam përfundu ndonjëherë klasën e nëntë, dhjetë, njëmbëdhjetë edhe dymbëdhjetë asnjëhere, se kur jam shkollu e kur kam studiu unë, kam përfundu tetë vite shkollë fillore dhe katër vite shkollë të mesme – gjimnaz. Kur kam studiu, këta që janë me bachelor-a e me master-a, nuk ka ekzistu edhe kjo është diskutu, edhe po m’doket është shterrë” – ka deklaruar Hajrullahu më 07.08.2024.

Në anën tjetër, dyshimeve të tyre se Eda Vula ka plagjiaturë në temën e saj të doktoratës, Parlamenti Studentor ia ka bashkëngjitur një link të artikullit për këtë çështje nga një media më 05.10.2015, kur Vula kishte qenë prorektore e UP-së.

KALLXO.com ka lexuar artikullin e medias lidhur me plagjiaturën në temën e doktoratës së Vulës dhe ka parë se janë hedhur konstatime se Vula ka marrë shembuj dhe ide nga punimet e tre autorëve të huaj që përmenden në këtë artikull, dhe i ka vendosur në temën e saj të doktoratës.

Por, pavarësisht se në këtë artikull ka përshkrime për të klikuar në disa linqe që thuhet se të dërgojnë në temën e doktoratës së Vulës dhe te punimet e autorëve prej nga Vula dyshohet se i ka kopjuar, këto linqe nuk janë të qasshme dhe nuk shfaqin asnjë prej punimeve akademike të përshkruara.

Kur është pyetur nga KALLXO.com për këto pretendime, Vula ka thënë se në vitin 2015 kur ishte prorektore e UP-së ishte shantazhuar jo vetëm për plagjiaturë por edhe për çështje tjera. 

Sipas Vulës, në atë kohë kishin arritur të demantonin me fakte konstatimet e artikullit të medias që kishte raportuar për temën e saj të doktoratës, të cilën Vula thotë se e ka përfunduar në vitin 2006, në UP.

“Kemi demandu me fakte që doktorata nuk është plagjiaturë, duke i demaskuar ndërhyrjet e qëllimshme në dokument të personit/personave anonim. Nuk ka pasë asnjëherë adresim në ndonjë organ tjetër, meqë faktet tona ishin shumë të qarta dhe bindëse për punën time të ndershme” – është përgjigjur Vula më 07.08.2024.

Vula po ashtu ka shtuar se më 06.08.2024 ka pranuar mesazhe që një anëtar i Këshillit Drejtues të UP-së dhe dy profesorë po përpiqen me çdo kusht të denigrojnë figurën e saj me kinse plagjiaturën, pikërisht për arsye të procesit të zgjedhjes së rektorit.

Më 07.08.2024, Këshilli Drejtues i UP-së fillimisht i ka intervistuar katër kandidatët që garuan për pozitën e rektorit të Universitetit të Prishtinës në konkursin e rishpallur të datës 08.07.2024, pastaj i ka votuar se cilin ta zgjedhin për pozitën e rektorit.

Përveç Eda Vulës dhe Arben Hajrullahut, dy pretendentët e tjerë për rektor të ri të UP-së që u intervistuan nga Këshilli Drejtues i UP-së ishin Lidvana Pallaska Spahiu dhe Isak Shabani.

Lidvana Pallaska Spahiu është profesoreshë e rregullt në Fakultetin e Mjekësisë në UP.

Isak Shabani është dekan në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në UP dhe së fundmi është zgjedhur për një mandat tjetër të dekanit në këtë Fakultet.

Pallaska Spahiu nuk mori asnjë votë nga Këshilli Drejtues i UP-së, kurse Shabani mori tri vota.

Dekani Shabani aplikoi edhe në konkursin e parë për rektor të UP-së, të datës 07.05.2024, por nuk mori votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur rektor.

Këshilli Drejtues i UP-së përbëhet nga nëntë anëtarë, shtatë prej tyre burra dhe dy gra: Altin Sahiti (kryetar), Arbëresha Nela- Turjaka (zëvendëskryesuese e KD-së) dhe anëtarët – Azem Hajdari, Arian Krasniqi, Naser Kabashi, Hajrullah Koliqi, Selim Bezeraj, Rifat Krasniqi dhe Arta Shehu Zaimi.

Prej këtyre anëtarëve të Këshillit Drejtues të UP-së, në komision zgjedhor të konkursit për rektor u zgjodhën: Arbëresha Nela- Turjaka – kryesuese e komisionit, Arian Krasniqi dhe Azem Hajdari – anëtarë.

Për dallim nga intervistimi dhe votimi i katër kandidatëve burra për rektor të UP-së në konkursin e datës 07.05.2024, intervistimi dhe votimi i kandidatëve të konkursit të rishpallur është përcjellë edhe nga Burim Gashi, drejtor i Departamentit të Arsimit të Lartë në Ministrinë e Arsimit.