Arkiv - Pamje nga gjykimi në rastin "Stenta" | Foto: KALLXO.com

Vetëm 1 Minutë Pamje nga Gjykimi në Rastin “Stenta”

Në gjykimin e mjekëve në Rastin “Stenta” medieve u është lejuar nga gjykata marrja e pamjeve vetëm për një minutë dhe pastaj ato duhet ta lëshojnë sallën e gjykimit.

Kjo gjë është arsyetuar  me mungesën e vendeve në sallë, edhe pse seanca fillestare e këtij gjykimi u mbajt në sallën e konferencave të Pallatit të Drejtësisë më 21 tetor, ndërsa aty kishte vend për mediet.

http://kallxo.com/gjykimi-per-stentat-ne-sallen-e-konferencave/

Në kohën kur kaloi minuta e lejuar për mediet ato u nxorën nga salla dhe nuk po lejohen të qëndrojnë as pranë vendit ku po zhvillohet ky gjykim, edhe pse gjyqtarja Shadije Gërguri nuk ka marrë vendim për mbyllje të seancës.

Një seancë tjetër-ajo ku i akuzuar është ish-kryetari i Gjykatës së Apelit Sali Mekaj u mbyll për medie me vendim të gjykatës, duke shkaktuar reagime për hapje të saj.

http://kallxo.com/ekskluzive-aktvendimi-qe-mbylli-seancen-e-salih-mekajt/

http://kallxo.com/agk-kerkon-nga-gjykata-te-hapet-per-rastin-e-salih-mekajt/

Në Rastin “Stenta” të akuzuar janë 44 mjekë, 1 infermier të punësuar në institucione publike shëndetësore dhe 13 punonjës ose ish-punonjës të sektorit privat shëndetësor.

Pjesë e këtij gjykimi janë ishin ministri i Shëndetësisë Ferid Agani dhe sekretari i përhershëm i kësaj ministrie Gani Shabani që akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë lëshimit të lejeve për trajtimin e pacientëve jashtë vendit.

Sipas aktakuzës, këta të pandehur duke vepruar në kundërshtim më Ligjin për Prokurimin Publik dhe Udhëzimet Administrative të Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe duke lejuar pagesat për trajtimin e pacientëve jashtë Institucioneve publike shëndetësore për periudhën 2011 -2015.

Sipas aktakuzës, këta dy të akuzuar i kanë mundësuar përfitim financiar spitalit privat “IMH” në shumë prej  4,050,958.00 euro dhe spitalit privat “EDA” në shumë prej 504,595.00 euro apo të dyja spitaleve në shumë të përgjithshme prej 4,555,553.00 euro, duke e dëmtuar buxhetin e Kosovës ashtu që në vend që të lejoheshin pagesat deri ne 70% të shpenzime për trajtim mjekësor, të njëjtit lejuan pagesat prej 100 % edhe për rastet kur nuk ishin plotësuar kushtet ligjore, pra për rastet kur pacientët nuk ishin invalidë të luftës ose raste sociale.

Pika e dytë e akuzës i ngarkon të të pandehurit G. B., S. Gj., F. Sh., B. Z., H. S., B. G., F. H., K. P., D. G., H. Q., A. K., E. P., E. H., A. P., N. M., D. K., A. B., Xh. K., L. P., R. M për keqpërdorim të pozitës po ashtu.

Prokuroria pretendon se këta të pandehur duke vepruar në kundërshtim më udhëzimet administrative të Ministrisë së Shëndetësisë u kanë lëshuar pacientëve ose familjarëve të tyre letrat referuese për trajtim mjekësor jashtë institucioneve publike shëndetësore, pasi që të njëjtit i kishin kryer të gjitha trajtimet mjekësore dhe më nuk kishin nevojë për trajtim mjekësor.

Sipas prokurorisë në disa raste këto letra referuese i kishin lëshuar edhe për persona të vdekur,  të cilat letra pastaj ishin njëri ndër kushtet kryesore për t’ua mundësuar të pandehurve F.A. dhe G.Sh. që të lejonin pagesat për trajtim mjekësor jashtë institucioneve publike shëndetësore, të cilat pagesa për periudhën 2011 – 2015 kanë arritur për të dy spitale private në shumë prej 4,555,553.00 euro.

Sipas pikës 3 të aktakuzës të pandehurit: G. B., D. G., E. M., N. R., N. Z.,  A. K., S. Gj., F. S.,  L. K.,  H. S., B. Z., R. E.,  H. H., B. G., F. S., A. L., A. B., H. Q., G. B.,  B. M., D. M., B. K., F. S., M. G., M. S., Sh. Sh., F. H., K. P., B. G., B. P., F. Sh., M. A., I. A., P. A., A. S., S. Sh. dhe L. P., janë akuzuar secili për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare si dhe marrje të ryshfetit.

Sipas Prokurorisë, këta të pandehur duke bashkëpunuar më pronarët dhe aksionarët e spitaleve private “IMH” dhe “EDA” kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare dhe kanë tejkaluar autorizimet zyrtare, duke referuar dhe dërguar pacientë nga institucionet publike shëndetësore në këto dy spitale private.

Sipas Prokurorisë për këtë kanë marrë ryshfet nga këto spitale, shuma të parave që shkonin deri në 500 euro nëse pacienti i referuar / dërguar vendoste stentë dhe 150 euro nëse pacienti bënte vetëm koronarografinë. Shumat e ryshfetit që merrnin këta të pandehur sillen nga 150 euro deri në 21,985 euro.

Gjithnjë sipas aktakuzës me  veprimet e tyre këta të pandehur u shkaktonin dëm pacientëve, i cili dëm sillej nga 700 euro deri në 18,000.00 euro për person dhe më këto veprime për periudhën 2011-2015 ia kanë mundësuar përfitimet financiare spitalit “IMH” në shumë prej 4,050,958.00 euro dhe spitalit privat “EDA” në shumë prej 504,595.00 euro ose të dyja spitaleve në shumë të përgjithshme prej 4,555,553.00 euro.

Mjekët dhe punonjësit shëndetësore që po nisin të gjykohen sot qenë arrestuar më 9 tetor 2014.

Një ditë më pas KALLXO.com siguroi dokumentin e prokurorisë me të cilin kërkohje paraburgim për mjekët e arrestuar në të cilin të arrestuarit e atëhershëm me sms flisnin për pacientë që nga institucionet publike i dërgonin në ato private në këmbim të përfitimit material.

http://kallxo.com/sms-te-e-mjekeve-te-arrestuar/

Për rastin e stentave emisioni “Jeta në Kosovë” shfaqi një hulumtim në dhjetor të vitit 2014.

Stentat-Rrëfimet e Pacientëve

Me këtë hulumtim vitin e kaluar ekipi i emisionit “Jeta në Kosovë” fitoi ëmimin e dytë të BE-së për gazetari hulumtuese.

http://kallxo.com/jeta-ne-kosove-dhe-kallxo-com-cmim-per-gazetari-hulumtuese-me-stentat/