Gjykata vendos ndaj të akuzuarit që publikoi materiale intime të të miturës

Gjykata e Prishtinës ka bërë të ditur se ka dënuar me 10 muaj burgim, N. S., i akuzuar për veprën penale të shtrëngimit.

Sipas komunikatës së lëshuar të mërkurën më datë 21.02.2024, N. S. përmes rrjeteve sociale kishte kanosur një të mitur duke i kërkuar të i dërgonte fotografi intime në të kundërtën do t`ia publikonte disa fotografi të tjera intime që i kishte në posedim.

Tutje, në komunikatë thuhet se e dëmtuara e mitur nga frika që i ishte shkaktuar i ka dërguar edhe katër fotografi të tjera ndërkohë që e ka lutur të akuzuarin të mos i publikojë.

Më pas, i akuzuari i kishte kërkuar edhe video dhe pasi nuk i kishte dërguar, ia kishte publikuar fotografitë në rrjete sociale, thuhet në komunikatën e Gjykatës.

Sipas njoftimit, e tërë kjo kishte ndodhur më datë 16.03.2017.

“Më datë 16.03.2017 në intervalin kohor në ora 12-13 i akuzuari N. S. i kishte shkruar në rrjetin social Instagram, të dëmtuarës së mitur, duke i kërkuar dërgimin e fotografive nudo dhe duke e kanosur që nëse nuk i dërgon këto fotografi, ai do t’ia publikoj fotografit nudo që i kishin realizuar kur e dëmtuara kishte qenë në banesën e tij, për çka e dëmtuara nga frika e publikimit të fotografive të mëhershme edhe pse e vetëdijshme se po vepron kundër nderit dhe dinjitetit të vet, ia kishte dërguar edhe katër fotografi, duke e lutur të akuzuarin që të mos i publikoj dhe kur i akuzuari sërish i kishte kërkuar që të bëjë videoincizim, ajo nuk kishte pranuar dhe i akuzuari më datë 17.03.2017, viktimës së mitur ia kishte publikuar fotografitë në instagram, duke hapur llogari me emër të saj dhe ua kishte dërguar shoqeve të të dëmtuarës”- huhet në komunikatën e Gjykatës së Prishtinës.