Spitali të cilit iu suspendua licenca. Foto: Kallxo.com

Pezullohet Licensa e një Spitali Privat në Gjakovë

Ministria thotë se Bordi, para se ta marrë vendimin për pezullimin e licencës,  ka bërë shqyrtimin e dokumtacionit duke përfshirë vendimin për aprovimin e licencës së Institucionit Privat Shëndetësor, Raportin e Inspektoratit Shëndetësor si dhe shkresa të tjera por edhe duke u bazuar në udhëzimin administrativ nr 08/2007 për Shërbimin Spitalor në Kosovë.

“Inspektorati ka kryer këtë inspektim dhe më pas ka shprehur në raport vërejtjet e veta për shkelje të etikës profesionale të dy mjekëve të këtij spitali gjatë trajtimit të pacientes N.P, të cilët sipas raportit të Inspektoratit, janë edhe pronarë të spitalit MIM, për çfarë Institucioni Shëndetësor kërkon mendim profesional nga Komisioni Etiko Profesional i QKUK-së (Shërbimit Spitalor Klinik Universitar i Kosovës) nëse disa prej veprimeve të ndërmarra nga dy mjekët në këtë spital, paraqesin shkelje të etikës profesionale, duke i përshkruar në të njëjtën kohë edhe të gjeturat e veta që çojnë në dyshimet për shkelje të etikës profesionale gjatë trajtimit të pacientes N.P., që lidhen me shkelje të normave të sigurisë teknike dhe mjekësore, duke mundësuar lëshime gjatë mjekimit dhe mos sigurim të masave të kujdesit shëndetësor. Në vendimin e Bordit për licencim të institucioneve private shëndetësore janë cekur nenet, paragrafët dhe nënparagrafet e udhëzimeve përkatëse administrative, bazuar në të cilat është marrë vendimi për pezullimin e licencës”, thotë Ministria e Shëndetësisë.

KALLXO.com ka kontaktuar me njërin nga drejtuesit e këtij spitali, Nexhat Rexha, por ai ka ndalur telefonin sapo ka marrë vesh se i është bërë thirrje nga një gazetare.

Rexha nuk ka qenë në gjendje të përgjigjet as në një pyetje që i është dërguar përmes SMS, pasi që e kishte mbyllur telefonatën.

Nga raporti i Inspektoratit Shëndetësor janë dhënë rekomandime për plotësim të dokumentacionit me rregull nga punonjësit e MIM të respektohet orari i punës nga të gjithë punëtorët bazuar në fletë-aplikacionin dhe   vendimin e licencimit të këtij institucioni, agazhimi i punëtorëve jo-kosovarë të bëhet sipas akteve ligjore në fuqi.

Sipas Ministrisë kjo vlen deri në plotësimin e kushteve sipas akteve ligjore në fuqi.

Më tepër detaje lidhur me rastin e spitalit “MIM” në javët në vazhdim “Jeta në Kosovë” do ta transmetojë një hulumtim disamujor.

KALLXO.com mëson se spitali “MIM” ka bërë ankesë kundrejtë këtij vendimi.