Kërkohet Përjashtimi i Prokurorit në Rastin e Sali Devollit

Në Gjykatën Themelore të Ferizajt u ndërpre seanca gjyqësore ndaj Sali Devollit i cili akuzohet për vrasjen e dy te rinjve nga Peja Bujar Domniku dhe Trim Halitaj në prill të vitit 2012.

Në fillim të seancës avokatët Teki Boskhi dhe Orhan Basha përfaqësues të familjeve të dëmtuara Domniku e Haliti i kërkuan me një parashtresë prokurorisë që ta bëjë rikualifikimin e veprës penale nga vrasje e rëndë në tejkalim të mbrojtjes në vrasje të rëndë të kryer me dashje.

“Në qoftë se nuk bëhet ndryshimi i kërkuar ne nuk jemi në gjendje te procedojmë me tutje dhe nëse prokurorit i nevojitet kohë ne do të kërkojmë që të shtyhet seanca, mirëpo nëse prokurori mbetet pranë kësaj aktakuze ne do të kërkojmë përjashtimin e prokurorit të çështjes,” deklaroi avokati Bokshi.

Por prokurori Rasim Maloku tha se nuk mund ta rikualifikojë veprën penale për të cilën akuzohet Sali Devolli pa u shqyrtuar të gjitha shkresat e lëndës.

“Tani për tani në këtë fazë të shqyrtimit gjyqësor, në këtë fazë të procedurës nuk mund të bëjmë ricinësimin e veprës penale,” deklaroi prokurori Maloku.

Pasi prokurori nuk e rikualifikoi veprën penale, avokatët e të dëmtuarve kërkuan përjashtimin e tij.

“Deklarojmë se ne kërkojmë përjashtimin e prokurorit te çështjes,” tha avokati Teki Bokshi.

Gëzim Kollçaku, avokati i Sali Devollit kërkesën e përfaqësuesve të palëve të dëmtuara e konsideroi presion ndaj prokurorisë dhe gjykatës.

“Qëllimi i tërë kësaj është t’i bëhet presion direkt prokurorit dhe presion indirekt trupit gjykues,”deklaroi avokati Gëzim Kollçaku.

Sali Devolli për vrasje të rëndë në tejkalim të mbrojtjes dhe armëmbajtje pa leje u dënua me 3.5 vjet burg nga Gjykata e Qarkut në Pejë më 17 tetor 2012, por pastaj pas ankesave të prokurorit dhe mbrojtjes rasti ishte kthyer në rigjykim.

Më 25 shkurt 2015 Gjykata Themelore në Pejë e liroi Devollin nga akuzat, ndërsa përsëri pas ankesave rasti u kthye në rigjykim këtë herë në Gjykatën Themelore në Ferizaj.

http://kallxo.com/lirohet-sali-devolli-i-akuzuari-per-vrasjen-e-dy-personave/

Sipas aktakuzës, Sali Devolli ishte sulmuar me shufra hekuri nga tash të ndjerët në një rrugë afër shtëpisë së tij në prill të vitit 2012, ndërsa më pas kishte nxjerrë revolen duke qëlluar ndaj tyre.

Trim Haliti kishte vdekur në vend, ndërsa Bajram Domniku më pas në spital.

3,5 Vjet Burgim për Vrasjen e Sulmuesve të Maskuar