Avokat Gëzim Kollçaku, Foto: Afrim Ejupi

Plani i 16-vjeçarit nga Peja për të kryer vrasje në shkollë, flet avokati i tij

Avokati Gëzim Kollçaku, i cili është i angazhuar në mbrojtje të të dyshuarit 16-vjeçar në Pejë, ka thënë për KALLXO.com se skica për të cilën flitet se përmban planin e shkollës në të cilën i dyshuari planifikonte të kryente sulmin vrasës ndaj shokëve të klasës së tij, nuk i përket shkollës.

Sipas avokatit Kollçaku, i dyshuari i kishte thënë se atë skicë e kishte kopjuar nga interneti dhe e kishte publikuar në profilin e tij.

“Nuk është plani i shkollës se unë atë e kam pa edhe unë e di më së miri çka ka aty, d.m.th. nëse dikush ju ka thënë që ai është plani i shkollës unë po ju them që nuk është, për shkak se e kam pa atë viziatim të cilin e ka marrë prej internetit” – ka deklaruar Kollçaku për KALLXO.com.

Avokati Kollçaku ka bërë të ditur se ky është rasti i parë që i dyshuari ka pasur kontakt me Policinë dhe se rasti i tij është përhapur në media dhe është ekzagjeruar.

KALLXO.com ka provuar të marrë një deklarim nga ana e Policisë në Pejë në lidhje me këtë rast, por forcat e rendit nuk kanë pranuar të deklarohen dhe kanë kërkuar që të pyetet Prokuroria për çdo gjë.

I dyshuari është ndaluar për 24 orë. E Prokuroria Speciale ka kërkuar paraburgim prej një muaji.

Kurse, avokati ka paraqitur ankesën ndaj kësaj kërkese, pasi sipas tij, nuk ka asnjë element inkriminues që vërtetohet se ai e ka kryer një përgatitje për vepër penale.

Në lidhje me shkrimet e të miturit në rrjete sociale, avokati Kollçaku ka thënë se i dyshuari gjatë seancës nuk ka pranuar se do të kryente sulm dhe se ato shkrime i kishte bërë për shkak të adoleshencës, moshës së re.

“Ai krejt ka shkru, kurrgjë, një herë, dy herë, diçka palidhje, të cilat tërë kohën ka thanë – unë kurrë as që e kam pasë njet, as që e kisha bo se unë frikësohna edhe me pasë  një armë afër e le ma me pasë armën në dorë. Vazhdimisht prej fillimit ka thanë që unë krejt çka kam shkru edhe ka shkru i kam bo prej hajgares, si adoleshent, me u krenu ndoshta para dikujt” – ka thënë Kollçaku.

Kurse, për bisedat të cilat flitet sipas dosjes së Prokurorisë se i dyshuari i kishte kryer me disa persona të tjerë që jetojnë jashtë Kosovës, duke ua treguar planin e sulmit, Kollçaku ka thënë se nuk është në dijeni se a ka folur apo jo.

Mirëpo, për familjarët e të dyshuarit, Kollçaku ka përshkruar se kanë qenë të shokuar kur kanë kuptuar se djali i tyre dyshohet se do të bëjë një krim.

”Familjarët thonë se ky ka qenë shumë i urtë, nxënës i mirë, asnjëherë në jetë nuk ka pasë probleme, prej shkollës në shpi, prej shpisë në shkollë. Ata janë shoku, familjarët janë shoku’’, ka theksuar Kollçaku.

KALLXO.com raportoi ekskluzivisht për arrestimin e të miturit nën dyshimin se kishte planifikuar që të kryente sulm vrasës ndaj disa nxënësve në një shkollë në Pejë.

Për shkak te ndjeshmerisë së rastit lënda me hetimet e para ishte bartur në Prokurorinë Speciale.

Prokuroria ka në dorë dëshmi të rrjeteve sociale të cilat dyshohet se i mituri i kishte postuar, siç janë armë, e më pas edhe një skicë me planin e kryerjes së vrasjeve te cilën e kishte ndarë me persona të tjerë që dyshohet se e nxitën të njëjtin.