Si u ndërtuan vilat e vëllezërve të Hashim Thaçit në Brezovicë?

Prokurori Rasim Maloku ka rrëfyer mënyrën se si ndërtuan vilat vëllezërit e Hashim Thaçit në Brezovicë.

Ai ka folur edhe për personat e tjerë me ndikim në politikë që kanë vila në zonën e Brezovicës, e të cilat ishin sekuestruar nga shteti.

“Edhe pse ato tash dihen publikisht emrat e atyre personave që kanë ndërtuar sidomos në zonën e dytë të parkut dhe deklarimet e tyre që janë intervistuar thonë se ne i kemi parashtruar kërkesat për marrjen e lejeve, projektet i ka bë arkitekti, ndërtimin e ka bë një kompani ndërtimore dhe nuk i kemi ditur kushtet që kërkohen apo në cilat kushte lejohet ndërtimi”- thotë prokurori Maloku.

“Mirëpo, çka është me rëndësi në zonën e dytë shumica e ndërtimeve apo në zonën e dytë apo trojet që janë shitur kanë qenë 90 për qind të një individi dhe ky individ e ka ditur fare mirë se në atë zonë nuk lejohet ndërtimi meqë ka pasur njoftim zyrtar nga Ministria e Mjedisit se në atë zonë nuk lejohet ndërtimi dhe janë të specifikuara veprimtaritë që mund të ushtrohen aty”- potencon Maloku, i cili ka shtuar se personi që ka shitur trojet i ka pasur afër dy hektarë në zonën e dytë.

“Ky person i ka pasur afër dy hektarë në zonën e dytë, të cilat i ka parcelizu dhe në bashkëpunim me ish-kryetarin e Komunës këto troje i ka shitur shumicën me leje ndërtimore dhe një pjesë e qytetarëve vërtetë ka mundur të bjerë në lajthim”- tha Maloku.

Kallxo.com kishte raportuar për sekuestrimin e vilave në nëntorin e vitit të kaluar.