Si u përfshinë njerëz nga Qeveria e Kosovës në korrupsionin në Brezovicë?

Prokurori i rastit “Brezovica” ka rrëfyer në emisionin “Kallxo Përnime” se si u përfshinë njerëz nga Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Ambientit, në rastin ‘Brezovica’.

“Shumica e të arrestuarve në rastin ‘Brezovica’ janë të arrestuar për kapitullin e veprave penale për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje ryshfeti dhe ushtrim të ndikimit, madje në disa raste edhe falsifikim të ndonjë dokumenti dhe këta persona disa janë përgjegjës për shkak të pozitës që kanë pasur, disa nuk kanë reaguar lidhur me këto ndërtime e disa lidhen me pëlqimet apo dhënien e lejeve ndërtimore”- theksoi Maloku, duke treguar se ka prova të shumta për këta persona.

“Kjo çështje ende është nën hetim. Ish-sekretari është për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare edhe pse deri më tani nuk kemi të dhëna të sakta sa para i kanë marrë. Shumica e veprimeve dhe çështjeve janë të lidhura me Komunën e Shtërpcës. Ministria ne një mënyrë ka abstenuar lidhur me kompetencat dhe ka pasur më të kufizuar veprimet formale tek çështjet e lëshimit të lejeve është dashur të jepen disa pëlqime mjedisore, pëlqime ujore, kurse çështjet e tjera i kanë lënë në kompetencë të komunës”- tha Maloku.

Aksioni i datës 6 janar të vitit 2022 kishte përfunduar me arrestimin e 7 personave.

Gjatë atij aksioni ishin arrestuar ish-sekretari i Ministrisë, Arben Qitaku dhe kryeinspektori i kësaj Ministrie, Bedri Halimi.

Po ashtu gjatë atij aksioni përveç Ministrisë ishin bastisur edhe 7 lokacione të tjera në Ferizaj e Shtërpcë e ishin arrestuar edhe 5 persona të tjerë të dyshuar.

Qitaku e Halimi nuk do ishin të vetmit e arrestuar si zyrtarë apo ish-zyrtarë ne MMPH.

Prokuroria e Ferizajt pas arrestimit kishte kërkuar 30 ditë paraburgim edhe për Gani Berishën, ish-drejtorin e Departamentit të pellgjeve ujore.

Edhe Qitaku, edhe Halimi, janë liruar nga paraburgimi ndërsa avokatët e tyre kanë deklaruar se të njëjtit nuk kanë përgjegjësi në këtë rast.

.