Si lidhet miku i ministrit Liburn Aliu në rastin “Brezovica”?

Prokurori Rasim Maloku ka rrëfyer përfshirjen e mikut të ministrit Liburn Aliu në rastin ‘Brezovica’.

Berat Lahu, asamblisti i Vetëvendosjes në Komunën e Prishtinës ishte arrestuar nga Policia e Kosovës.

Lahu po kërkohej nga Prokuroria e Ferizajt lidhur me rastin e njohur si “Brezovica”. Lahu është mik i ministrit të Ministrisë së Ambientit, Liburn Aliu.

“Të themi të drejtën ai nuk ka qenë i lidhur drejtpërdrejt me ndërtimet në atë zonë mirëpo koha kur ka ndodhur kjo nga hetimet që kemi zhvilluar ai ka qenë si drejtor i KEK-ut në Ferizaj dhe zhvendosjen e një tensioni të lartë në zonën e Brezovicës që ka qenë projekt i vetë ndërmarrjes u kushtëzua me kërkesën për dhënien e ryshfetit përkatësisht për marrjen e një trualli ne mënyrë që të mundësohet zhvendosja e rrjetit dhe vendosja e një trafoje për kyçjen e atyre objekteve ku njëri nga ta ka qenë edhe dëshmitari bashkëpunues dhe disa investues të tjerë” – ka theksuar Maloku duke treguar edhe për sipërfaqen e truallit.

“Është marrë një truall me sipërfaqe prej 350 metra katrorë, janë kërkuar edhe disa shuma të parave për kyçje në trafo por këta kanë refuzuar”- shtoi Maloku.

Para se te arrestohej Lahu i kontaktuar nga Kallxo.com kishte mohuar të jetë i lidhur me rastin ‘Brezovica’.

“Jo, unë e kam parë lajmin ashtu siç e keni pa ju, nuk kam aspak informata. Unë nuk gjendem në Kosovë, nuk e di çka mundet me pasë ndërtime në Brezovicë me mua, unë asnjëherë s’kam punuar në institucione qendrore, as lokale, as nuk jam marrë me ndërtimtari. Është e pakuptimtë që m’u ndërlidh emri jem me këtë çështje” – tha Lahu.

Nga 11 lokacionet e bastisura atë ditë në Prishtinë e Podujeve në mesin e të kërkuarve kishte qenë edhe Berat Lahu.

Lahu ishte arrestuar gjatë këtij aksioni pasi herën e parë kur Policia e kishte kërkuar ai nuk kishte qenë në Kosovë.