FOTO ARKIV: Ilir Tolaj

Ilir Tolaj edhe Sot në Bankën e të Akuzuarve

Seanca fillestare kundër Ilir Tolajt dhe shtatë personave tjerë u shty pa u lexuar as aktakuza.

Shtyrjen e kërkoi avokati Ramë Gashi që tha se nuk i ka marrë nga prokuroria të gjitha shkresat e lëndës.

“Unë dhe i mbrojturi im nuk mundemi sot të deklarohemi, pasi që nuk i kemi të gjitha shkresat e lëndës, ku këtu mungojnë shkresa qe për ne janë shumë të rëndësishme e sidomos aktvendimi për fillimin e hetimeve. Kërkoj që kjo seancë të shtyhet,” tha Gashi.

Kujtim Kërveshi, avokat i Florije Tahirit deklaroi se edhe atij i mungonte aktvendimi për vazhdimin e hetimeve dhe CD-ja e thirrjeve.

Prokurori i Prokurorisë Speciale Admir Shala u tha avokatëve se brenda dy ditëve do t’ua japë shkresat që mungojnë, ndërsa kërkoi që kjo seancë të mos shtyhet për mungesë të tyre.

Pas deklarimeve të palëve, gjyqtarja Valbona Selimi aprovoi propozimin e avokatit Gashi dhe mori aktvendim për shtyrjen e seancës më 14 janar 2016.

Ilir Tolaj, Zenel Kuqi, Florie Tahiri, Shpend Agani, Bekim Fusha, Valentina Haxhiu-Pacolli, Remzie Thaçi dhe Arian Lleshi akuzohen nga Prokuroria Speciale e Kosovës për veprat penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe mashtrim e shmangie nga tatimi.

Tolaj u dënua më 18 qershor 2013 me 18 muaj burg në një proces tjetër gjyqësor ku për periudhën sa ishte sekretar i përhershëm i Ministrisë së Shëndetësisë akuzohej për nxitje në falsifikim të dokumentit zyrtar dhe shmangie nga tatimi.