Debat Pernime, Deçan

Përplasje Mes Kandidatëve për Qendrën e Deçanit

Çështjet e kolonave të gjata, mungesës së trotuareve e qarkullimi i veturave në qendër të Deçanit u përcollën me polemika mes kandidatëve për kryetar të Komunës së Deçanit.

Bashkim Ramosaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se qendra e Deçanit do të ketë ndërhyrje të tjera edhe pse deri më tani në të është ndërhy dy herë për të zgjidhur problemet e kolonave të gjata.

“Po flasim pak për qendrën e Deçanit dhe adresimin që bëri Shkodrani. Është e vërtetë që qendra e Deçanit nuk është siç ka qenë është ndërhyrë dy herë në të dhe duhet me pas parasysh qytetarët e dinë që zgjidhja në qendër të Deçanit është pak ma ndryshe. Ne kemi marrë ekspertizë dhe kemi debatuar mjaft për të, që ajo do të bëhet me një nënkalim dhe do bëhet një qendër tregtare mas sepse ka një telashe, nxënësit që kanë qasje në gjimnazin ‘Vëllezërit Frashëri’ në Deçan”, tha Ramosaj.

Shkodran Imeraj nga Nisma tha se për derisa qeverisja e kaluar nuk ka mundur të bëjë asgjë në 8 vitet e kaluara, nuk beson se mund të arrijë ta rregullojë problemin e qendrës së Deçanit në katër vitet e ardhshme në qeverisje.

“Është realitet që Ramosaj ka drejtu drejtorinë e administratës publike në kuadër të kabinetin Selmanaj dhe kjo nuk është bërë për 8 vite dhe nuk besoj që do të bëhet në mandatin 4 vjeçar të Ramosajt, sepse e dimë që edhe pse është ndërhyrë në qendër të Deçanit, shumë herë nuk është ndryshu ka mbetur e njëjta”, tha Imeraj.

“Qytetarët e Deçanit e dinë për çfarë flas dhe e di çfarë besimi kanë, është çështje tjetër çka mendon ti”, replikoi Ramosaj.

“Nuk keni arritë me ba për 8 vjet e s’po besoj që mundeni me bo për mandatin 4 vjeçar”, u kundërpërgjigj Imeraj.

Zekë Sinanaj nga Lëvizja vetëvendosje tha se të gjithë i dinë ato çka janë ndërmarrë në qeverisjen e kaluar.

“Jam i bindur që aq sa ne i dimë edhe më mirë e dimë të gjitha gjërat që kanë ndodhur në Komunën e Deçanit në 8 vitet e kaluara në qeverisjen e kaluar”, tha Sinanaj.

Për të shikuar debatin me kandidatët e Komunë së Deçanit, klikoni në linkun më poshtë: