Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kandidatët për kryetar të Junikut premtojnë bursa për studentët

Kandidatët për kryetar të Junikut në Debat Pernime kanë premtuar bursa për studentët, nëse vijnë në qeverisje nga zgjedhjet e 17 tetorit. 

Kandidati për kryetar të Junikut, Ruzhdi Shehu nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka premtuar 20 mijë euro në vit bursa, nëse bëhet kryetar.

 “Për bursa kam parashikuar 20 mijë euro në vit pastaj ndarja varet edhe numri i aplikuasve që konkurrojnë dhe i plotësojnë kriteret”, tha ai. 

Edhe kandidati për kryetar të Komunës së Junikut, Besart Tofaj nga Lëvizja Vetëvendosje ka premtuar bursa për studentët. 

“Do të ofrojmë bursa specifike për profile të caktuara më saktësisht do të ofrojmë bursa për shkencat natyrore dhe ato  me profile të teknologjisë informative. Nuk mund të cekim një shumë të përafërt sepse varet nga numri i kandidatëvëe të cilët do të aplikojnë”, tha ai.

 Kurse, kandidati për kryetar të Komunës së Junikut, Agron Kuçi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, theksoi se do të ndajnë 60 bursa në shumën prej 300 eurove. 

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Junikut diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Junikut, Agron Kuçi nga AAK; Besart Tofaj nga LVV dhe Ruzhdi Shehu nga LDK.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Junikut: Erleta Qestaj dhe Festina Maloku nga AAK; Lirjeta Shehu dhe Vjollca Qestaj nga LDK.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.