Abrashi: Pallatin e Rinisë do ta Kthejmë në Pronësi të Komunës

Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, gjatë prezantimit të programit për sport, ka thënë se Pallati i Rinisë do të kthehet në pronësi të komunës dhe se do të modernizohet në funksion të të rinjve që merren me sport dhe rekreacion.

“Gjatë mandatit katërvjeçar fokus të veçantë do të ketë ndërtimi i fushave rekreative dhe sportive në çdo lagje të kryeqytetit, ndërsa Pallati i Rinisë t’i kthehet komunës së Prishtinës, në mënyrë që të rinjtë e qytetit t’i shfrytëzojnë ato hapësira për të cilat janë paraparë”, ka thënë Abrashi sipas një komunikate të LDK-së.

Abrashi ka thënë se sporti do të jetë një nga prioritetet kryesore të qeverisjes së tij.

Ai ka premtuar se brenda qeverisjes së tij Prishtina do të ketë nga një fushë sportive-rekreative në çdo lagje dhe është zotuar që do ta bëjë ligën shkollore në Prishtinë, me qëllim që fëmijët të nxiten që të merren sa më shumë me sport.