Tahiri: Në PDK të gjithë jemi të rëndësishëm, nuk ka njerëz të fortë e të butë

Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, Abelard Tahiri, i ftuar në Debat Pernime ka thënë se në këtë parti nuk ka njerëz të fortë dhe se të gjithë funksionojnë brenda kapaciteteve që i kanë.

Tahiri ka thënë se Lushtaku është mirë të japë sqarime se për kë e ka pasur kur ka thënë se pesë njerëzit e fortë të kësaj partie kontrollojnë gjithçka. Tahiri ka shtuar se ky qëndrim ka qenë personal dhe jo i partisë.

“PDK nuk ka njerëz të fortë dhe të butë por ka strukturë. Dhe nuk ka qenë qëndrim i partisë dhe Sami Lushtaku është mirë me dhënë sqarime dhe ne të gjithë e bëjmë punën sipas  Ne të gjithë jemi të rëndësishëm dhe ma kapacitete tona secili e bëjmë punën tonë. Njerëz të cilët kanë aktakuza dhe problem me ligjin nuk janë në struktura të PDK dhe kemi kërkuar të lirojnë edhe pozitat, lista e PDK nuk ka njerëz me aktakuza. Asnjë person i akuzuar nuk ka pozitë vendimmarrëse në PDK dhe në asnjë institucion”, ka thënë Tahiri.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra është mbajtur për dhjetë ditë rresht sa ka zgjatur edhe fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 6 tetor.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit.

Kandidatët për deputetë do të ballafaqohen me pyetje nga publiku, ekspertë, analistë e qytetarë të tjerë.

Pjesë e këtij debati do të jenë: Driton Selmanaj dhe Arben Gashi- Lidhja Demokratike e Kosovës, Burim Ramadani dhe Selim Selimaj- Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Abelard Tahiri nga Partia Demokratike e Kosovës.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV 21 dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.