Tahiri (PDK): Duhet të themelohet një komision i veçantë hetimor për kontratat njëburimore

Shefi i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka deklaruar se do të kërkojnë themelimin e një komisioni hetimor parlamentar për kontratat njëburimore.

Ai bëri të ditur se PDK-ja ka bërë një hulumtim në shtatë institucione dhe ka ardhur në përfundim se numri i kontratave njëburimore të nënshkruara për dy vjet është 220, ndërsa vlera e tyre është mbi 153 milionë.

Teksa ka përmendur institucionet në të cilat janë bërë hulumtime, Tahiri deklaroi se vetëm Korporata Energjetike e Kosovës për dy vjet ka nënshkruar 89 kontrata njëburimore në vlerë prej mbi 101 milionë euro.

“Institucionet që i kanë nënshkruar këto kontrata prinë Korporata Energjetike e Kosovës me 101 milionë e 152 mijë e 705 euro e 50 cent, pra për dy vite KEK-u i ka nënshkruar 89 kontrata. Këtu e shoh vetëm një kontratë në rregull, që është ajo me General Electric Motors”- tha Tahiri.

“E shohim në Ministri të Kulturës, nuk e di kah kanë dalë këto 36 kontrata njëburimore në vlerë prej 204 milionë euro në MRKS. Kjo është për dy vite. Vitin 2021 nuk e kemi përfshi për shkak të pandemisë”- shtoi ai.

Deputeti i PDK-së, gjithashtu ka treguar edhe për dikastere tjera se sa kontrata njëburimore kanë nënshkruar dhe në çfarë vlere.

“Pastaj është Ministria e Shëndetësisë ku janë afër 4 milionë euro kontrata pa i përfshi ato për vaksinat. Janë gjashtë kontrata afër katër milionë euro në vitin 2022-2023. Më pas e kemi Ministrinë e Arsimit. Në vitin 2022-2023 janë 19 milionë euro në 30 kontrata. E kemi Ministrinë e Punëve të Brendshme, pa kontratat sekrete, i ka 21 milionë e 495 mijë 694 euro, pra janë 20 kontrata për dy vite. Pastaj e kemi Ministrinë e Industrisë ku janë pesë kontrata në vlerë prej 138 mijë euro dhe e kemi Ministrinë e Infrastrukturës që i ka këto dy vite 32 kontrata dhe që janë afër 4.3 milionë euro”- është shprehur Tahiri.

Bazuar në këto të dhëna, ai tha se ka arsyeshmëri të mjaftueshme që të niset një komision hetimor parlamentar për të bërë një hetim mbi kontratat njëburimore.

“Është mëse e qartë që kemi një arsyeshmëri të mjaftueshme të nisim një komision hetimor për ta bërë një hetim parlamentar mbi këto kontrata. Po flasim rreth 220 kontrata një burimore që duhet të kemi një komision parlamentar. Do të kërkojmë që rezoluta e LDK-së të plotësohet me këtë pikë, komisioni hetimor që grupi parlamentar i PDK-së e ka kërkuar”- ka vlerësuar Tahiri.

Kuvendi i Kosovës është mbledhur në seancë të jashtëzakonshme me pikën e vetme të rendit të ditës: “Shqyrtimi i Propozim-rezolutës për numrin e madh të kontratave njëburimore të nënshkruara gjatë mandatit të Qeverisë Kurti”.

Hetimet parlamentare në funksion të agjendave politike apo të zbardhjes së keqpërdorimeve në institucionet publike