Kurti: Perandoria romake ka pasur kanalizime, Kosova s’ka

Kandidati për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti është kapur në historikun e Perandorisë Romake kur ka folur për kanalizimet në Kosovë.

Kurti thotë se perandoria romake ka pasur kanalizime, derisa Kosova në shekullin 21 nuk ka zgjidhje për ujërat e zeza.

“Unë isha në fshatin Sveçël, dy lumenj i ka, në të dytë erdhën ujërat e zeza. Edhe në perandorinë romake ka pasur kanalizim për ujëra të zeza, e ne tash në shekullin 21 nuk i kemi. Me prioritet, në fshatrat që i kanë mbi 200 shtëpi për sanimin e kanalizimeve të tyre, kur vjen në shprehje granti i katërt që i ke nëpër komuna e i cili është për shpenzimet kapitale që mund t’i kenë komunat sidomos për ujësjellës e kanalizim, 600 milionë euro për 4 vjet”, ka thënë Kurti gjatë Debatit Pernime.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahen për dhjetë ditë rresht sa do të zgjasë zyrtarisht fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë të cilat do të mbahen më 6 tetor.

Kandidatët për kryeministër si dhe kandidatët për deputetë nga partitë të cilat janë në garë do të ballafaqohen para Jeta Xharrës ku edhe do të shpalosen programet e tyre qeverisëse.

Të ftuar në debat janë: Albin Kurti, Glauk Konjufca, Albulena Haxhiu, Liburn Aliu, Fitore Pacolli, Hajrullah Çeku, Arbërie Nagavci, Hekuran Murati, Saranda Bugujevci, Arben Vitia, Yllza Hoti.

Debat Pernime do të fillojë çdo ditë nga ora 20:30 në Televizionin 21 dhe live në Facebook të KALLXO.com.