Vjosa Osmani: Problemi i vetëm për ndaljen e monopolit ka qenë dhe mbetet vullneti politik

Kuvendi i Kosovës është duke vazhduar diskutimin për heqjen e monopolit të homologimit, pa praninë e ministrit të Infrastrukturës Pal Lekaj si dhe asnjërit nga ministrat e qeverisë Haradinaj.

Deputetja nga LDK-ja, Vjosa Osmani-Sadriu, tha që në vitin 2008 është nënshkruar memorandum bashkëpunimi dhe jo marrëveshje siç po thuhet.

“Në vitin 2008 nuk ka ndodhur kontrata, është një marrëveshje mirëkuptimi, e cila dallon nga kontrata dhe si e tillë duhet të trajtohet. Ajo marrëveshje mirëkuptimi dhe udhëzimet administrative që kanë pasur për ta mbajtë atë në fuqi, përfshirë edhe këtë të fundit të ministrit Lekaj janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës por edhe në kundërshtim me ligjet”, tha ajo.

Duke përmendur ligjet në fuqi, deputetja Osmani tha që të gjitha ligjet e Republikës së Kosovës e përjashtojnë monopolin.

“Gjuha e secilit ligj që është në fuqi e përjashton monopolin, përfshirë edhe ligjin për automjete, por ta zëmë vërtetë ky qenka problemi, asnjë problem dhe asnjë hezitim sot Lidhja Demokratike e Kosovës nuk e ka që sot ti qesim nënshkrimet në ndryshimet që ju po i kërkoni për ligjin, nuk është që lejohet një gjë e tillë sepse e ndalon kushtetuta’, tha ajo.

Sipas saj Udhëzimin Administrativ i ministrit Lekaj bie në kundërshtim me vlerat evropiane.

“Ky udhëzim administrativ që po tentohet të mbahet në fuqi, sot lëre që bie në kundërshtim me aktet juridike që ne i kemi miratuar por edhe po tregon që ai orientimi strategjik për të cilin e kanë gojën plotë secili që vinë këtu, pra orientimi proevropian nuk qenka aq serioz sepse me pas qenë nuk kish leju Republika e Kosovës me konsideru Kushtetutën si letër të pavlerë”, shtoi ajo.

Osmani propozoi që nëse deputetët me të vërtetë duan të ndryshojnë ligjin për automjetet ta bëjnë këtë në afatim dy javorë, duke shtuar që ky nuk është problem i ligjeve por i vullnetit politikë.

“Brenda afatit dy javorë të propozohet nisma legjislative me e ndryshu Ligjin për Automjete ose ligjet e tjera që të gjitha unë do ta vendosë nënshkrimin, por mos harroni as nuk ka qenë e as nuk është problemi tek aktet teknike, problemi ka qenë dhe mbetet tek vullneti politik që me u ç’kap prej financierve të caktuar të cilët për fat të keq nuk e kontrollojnë vetëm fushën e homologimit por po tentojnë ta kontrollojnë këtë shtet në tërësi “, theksoi ajo.