Foto: Facebook/FTF.

‘Udhëtimi i gjatë drejtë natës’ merr çmimin kryesor në Festivalin e Teatrove në Ferizaj

Shfaqja “Udhëtimi i gjatë drejtë natës” e Teatrit Kombëtar të Kosovës ka marrë çmimin, “Shfaqja më e mirë” në edicionin e 53-të të Festivalit të Teatrove në Ferizaj, që u mbyll të hënën në mbrëmje.

Çmimin “Regjia më e mirë”, e mori Ilir Bokshi me shfaqjen “Gënjeshtari”. Çmimin “Aktorja më e mirë” e mori Aurita Agushi për rolin e saj në shfaqjen “Tatuazhi i trëndafilit”, kurse çmimi “Aktori më i mirë” shkoi për Shkumbin Istrefi për rolin në shfaqjen “Arbri”.

Çmimi “Yll në ardhje” iu Zhaneta Xhemajli për shfaqjen “Sober”. Çmimi Special shkoi për Butrint Pashta me shfaqjen “Sober”. Çmimi “Aktorja më e mirë në rol dytësor” iu dha Arta Selimit me shfaqjen “Udhëtimi i gjatë drejtë natës”, ndërsa ai për “Aktorin më të mirë në rol dytësor” iu dha Mumin Abdullahut për shfaqjen “Krokodili”. Çmimin “Aktori më i mirë në rol episodik” shkoi për Arben Marevci “për shfaqjen “Gënjeshtari”.  Çmimin për “Skenografinë më të mirë” e mori Bekim Korça për shfaqjen “Gënjeshtari, kurse çmimin “Kostumografia më e mirë”  e mori Njomza Luci po për shfaqjen “Gënjeshtari”.

Edicioni sivjetëm i këtij festivali është mbajtur nga 27 gushti deri më 4 shtator 2023 në Ferizaj, me prezantimin e shfaqjeve nga disa teatro shqiptare, nga Kosova,  Maqedonia e Veriut e Shqipëria.