FOTO KALLXO

Shpend Ahmeti prezantoi projektet e përfunduara në infrastrukturë gjatë 2018-ës

Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti së bashku me Drejtorin e Drejtorisë për Investime Kapitale në Komunën e Prishtinës, Gëzim Mehmeti, kanë mbajtur sot konferencë për media në të cilën kanë prezantuar projektet të cilat Drejtoria për Investime Kapitale i ka zhvilluar në gjashtë mujorin e parë të këtij viti dhe projektet të cilat do të zhvillohen deri në fund të këtij viti.

Në kudër të projekteve të përfunduara nga komuna e Prishtinës, brenda këtyre gjashtë muajve është bërë asfaltimi dhe sanimi i rrugës “Fehmi Lladrovci”, i cili sipas drejtorit Mehmeti ka përfunduar brenda dy jave, ndërtimi i disa rrugëve me kubëza të betonit në lagjen Hajvalia, ndërtimi i rrugës në fshatin Barilevë, rindërtimi, sanimi dhe zgjerimi i disa rrugëve sekondare në territorin e Komunës së Prishtinës, rregullimi i objekteve me banim social në Hajvali, ndërtimi i mbikalimit në lagjen Arbëria dhe disa projekte të tjera.

Mehmeti në këtë konferencë tha se për ndërtimin e urave në pjesën perëndimore te unaza qendrore kanë arritur marrëveshje me Doganën e Kosovës dhe është larguar objekti i tyre, dhe së shpejti pritet që të arrijnë marrëveshje edhe me Infra-Kos-in.

Kryetari i Komunës në këtë konferencë ka përmendur edhe ndërtimin e pesë shkollave.

“Do të ndërtojmë pesë shkolla në të njëjtën kohë” tha Ahmeti.

Ai shtoi se ndërtimi i këtyre shkollave do ta kompletojë infrastrukturën shkollore në Komunën e Prishtinës.

“Momentalisht jemi duke përgaditur dokumentacionin dhe nuk do të kemi më mbingarkesë në disa shkolla”, tha Ahmeti.

Në këtë  konferencë u përmend edhe përfundimi i projektit të sheshit “Adem Jashari”, përurimi i të cilit do të bëhet nesër (e enjte-02.08.2018) nga ora 19:00.

 

Kryetari i komunës ka njoftuar se do të ketë konferenca të tilla nga të gjitha drejtoritë e Komunës për të bërë prezantimin e punës së tyre në gjashtë muajt e parë të këtij viti.