KQZ

Numërohen mbi 90% e votave me postë, LVV-ja prin me mbi 50%

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se deri të hënën, më 03.03.2025, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë numëruar 169 nga 187, apo 90.37% e votave me postë jashtë Kosovës.

Sipas përditësimit të fundit, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 50.70% të votave, Lidhja Demokratike e Kosovës renditet e dyta me 30.15%, Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 9.52% dhe AAK-Nisma 3.09%.

Rezultatet për subjektet politike dhe kandidatët, të ndarë sipas Komunave, të cilave u takojnë votuesit e regjistruar mund t’i gjeni në platformën https://rezultatet2025.net.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV), e cila kryeson me numrin më të madh të votave brenda Kosovës, me numër të elektoratit prin po ashtu edhe në diasporë.

Ndërsa, sipas të dhënave të KQZ-së, nga votat në përfaqësi diplomatike, LVV ka fituar 10,898, apo 80.75%; PDK-ja ka 1,010 vota, apo 7.48%; Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka 1,006, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma Socialdemokrate, Konservatorët, Intelektualët dhe Lista Ideal ka 260 vota, apo 1.93%; dhe, Koalicioni për Familje ka 103 vota, apo 0.76%.

Rezultatet e votimeve nëpër përfaqësi diplomatike vënë në pah se Vetëvendosje ka dalë e para në 30 vendvotime. LVV-ja ka grumbulluar numrin më të madh të votave në 28 vendvotime, në të cilat ka përfunduar numërimi.

Kjo ka qenë hera e parë që mërgimtarët kanë pasur të drejtë që të votojnë për Zgjedhjet në Kosovë nëpër Konsullata dhe Ambasada – sipas Ligjit të ri për Zgjedhjet. Votimi nga mërgimtarët u realizua në dy forma: përmes postës dhe votimit fizik nëpër Ambasada dhe Konsullata.

Gjatë periudhës së regjistrimit, nga 104,924 shtetas të regjistruar për votim jashtë Kosovës 84,600 ishin regjistruar për të votuar përmes postës dhe 20,324 të tjerë ishin regjistruar për votimin fizik në përfaqësitë diplomatike.

Zgjedhjet e vitit 2025 për Kuvend të Kosovës janë të gjashtat me radhë që janë mbajtur që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 17.02.2008.

Sipas rezultateve preliminare, pas numërimit të votave të rregullta, Lëvizja Vetëvendosje është e para me 40.90% të votave të fituara, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 22.03%. E treta ka dalë Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.64% të votave, pasuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.46% të votave të fituara.