Ramiz Lladrovci, PDK, Drenas. Foto: Atdhe Mulla

Lladrovci: Nuk kam lidhje me të dyshuarin për kërcënim të Xhavit Drenorit

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci thotë se nuk ka asnjë lidhje familjare me një person që dyshohet se ka kanosur ish-asambleistin në këtë komunë, Xhavit Drenorin.

Lladrovci përmes një statusi në Facebook tha mediat që i’u kanë referuar këtij personi si ‘daja’ i tij, kanë dezinformuar.

“Nuk kam kurrfarë lidhje me personin që kërcënon në rrjete socialePersoni që ka kërcënuar Xhavit Drenorin, ndaj të cilit Policia e Kosovës ka ngritur kallëzim penal, nuk ka asnjë lidhje familjare me mua, as që është daja im”, shkroi Lladrovci.

Kujtojmë se Xhavit Drenori dje kishte lajmëruar se ndaj një personi që ai thotë se e kërcënoi në rrjete sociale, është ngritur kallëzim penal.

Ai tha se ky person ishte thirrurr si ‘daja i Ramiz Lladrovcit’.

Më poshtë mund ta lexoni postimin e plotë të Ramiz Lladrovcit:

Nuk kam kurrfarë lidhje me personin që kërcënon në rrjete sociale

Personi që ka kërcënuar Xhavit Drenorin, ndaj të cilit Policia e Kosovës ka ngritur kallëzim penal, nuk ka asnjë lidhje familjare me mua, as që është daja im.

Përhapja e lajmeve, pa saktësitë e duhura, shkakton huti, aq më keq, edhe keqkuptime. Lajmi me “thonjëza” mund të ngjall reagime të padëshirueshme, duke mos u kuptuar drejt se personi në fjalë, nuk është familjar imi.

Personi i dyshuar nga Lagja Zogu (Mulaku), nuk ka asnjë lidhje familjare me mua, as që e njoh e as që jam në dijeni se kush është. Kam kërkuar nga Policia e Kosovës, të japë sqarimet e duhura për rastin.

Edhe gjatë fushatës, kur Drenori ngriste dyshime për kërcënime, e kam inkurajuar të bëj padi dhe të gjendet kushdo që kërcënon dike, aq më parë, kur deklarohet rrejshëm në rrjetin social me përkatësi familjare.

Këto lloj “kërcënimesh” të cilat i kam pranuar shumë herë, kurrë nuk i kam marrë seriozisht, megjithatë, institucionet e drejtësisë le ta thonë fjalën e vet për këtë “kërcënues”, dhe unë ju ofroj bashkëpunim të plotë.

 

https://kallxo.com/ngritet-kallezim-penal-ndaj-te-dyshuarit-per-kercenim-te-xhavit-drenori/