25 vjetori i masakrës në Sllovi të Lipjanit

Kurti e Konjufca nderojnë të rënët në Sllovi të Lipjanit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial të varrezave në fshatin Sllovi të Lipjanit, me rastin e shënimin të 25 vjetorit të masakrës në këtë fshat, ku u vranë dhe masakruan 45 civilë të pafajashëm shqiptarë dhe u plagosën shumë të tjerë.

Gjatë bashkëbisedimit me familjarë të dëshmorëve dhe martirëve të këtij fshati, Konjufca ka theksuar se masakrat e kryera gjithandej Kosovës janë akte të qarta të gjenocidit që shteti i Serbisë ushtroi mbi popullin shqiptar të Kosovës, për të cilat Kosova nuk do të pushojë asnjëherë së kërkuari drejtësi.

“Kreu i Kuvendit tha se këto ditë janë ditë të dhimbjes, por edhe të krenarisë, për arsye se gjaku i dëshmorëve dhe martirëve qëndron në themelet e lirisë dhe të shtetit tonë”, thuhet në komunikatën e Kuvendit të Kosovës.

Më 15 dhe 16 prill të vitit 1999 policë, ushtarë e paramilitarë serbë në kuadër të operacioneve gjenocidale kundër popullatës civile shqiptare e kryenë këtë masakër në Kosovë.