Ish-ministri i Financave, Avdullah Hoti

Hoti: Askush nuk ka drejte të flas për korrigjim të kufijve

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka reaguar përmes një postimi duke kundërshtuar fjalët e Presidentit Hashim Thaçit në lidhje me korrigjimin e kufijve.

Hoti fjalët e Thaçit i ka quajtur të kota, që sipas tij askush nuk ka të drejtë të diskutojë për territorin e Kosovës.

“Lojërat me fjalë si “shkëmbim territoresh” dhe “korrigjim të kufijve” janë të kota, por po na kushtojnë me stopim të plotë të njohjeve të reja. Askush nuk ka të drejtë të diskutojë për territorin e Kosovës, sepse do të binte ndesh me vullnetin e popullit të Kosovës për shtet të pavarur, të shpallur me Deklaratën e Pavarësisë me 17 shkurt 2008, dhe me Kushtetutën e Kosovës”, ka shkruar Hoti.

Sipas Hotit, fjalët për korrigjim të kufijve po e dëmtojnë pozicionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Vet ideja që kjo çështje mund të diskutohet në dialogun me Serbinë e ka nxjerrë jashtë funksionit të saj të gjithë diplomacinë e Kosovës. Sot në asnjë takim a forum ndërkombëtarë nuk diskutohet për njohje të reja që duhet t’i vijnë Kosovës, sepse liderët institucional të Kosovës kanë dhënë sinjale se do të rishikojnë tërësinë territoriale të Kosovës. Kjo është e pafalshme dhe do të ndëshkohet nga qytetarët e Kosovës”, ka shkruar Hoti në rrjetin social.

Reagimi vije pas vizitës e Presidentit Hashim Thaçit në Odën Ekonomike të Kosovës.

I cili tha se ndarje të Kosovës nuk ka, por korrigjimi i kufijve mund të ndodhë.

https://kallxo.com/thaci-ndarje-te-kosoves-nuk-ka-nese-arrihet-marreveshja-lugina-mund-ti-bashkengjitet-kosoves/