Presidenti Thaçi në OEK- FOTO KALLXO

Thaçi: Ndarje të Kosovës nuk ka, nëse arrihet marrëveshja Lugina mund t`i bashkëngjitet Kosovës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë vizitës në OEK tha se nuk do të ketë ndarje të Kosovës, por pa e anashkaluar mundësinë e korrigjimit të kufijve me Serbinë.

Sipas tij, në kuadër të korrigjimit të kufijve është e pranueshme kërkesa e liderëve të Luginës së Preshevës për bashkim me Kosovën.

“Në asnjë rrethanë dhe çmim nuk do të mund të imponohet realizimi i aspiratave për ndarjen e Kosovë. Sa i përket korrigjimit të kufijve, kemi rreth 400 km kufi në mes të Kosovës dhe Serbisë që duhet t’i vëmë, sepse ne duhet të përmbyllim shtet-formimin”, tha Thaçi.

Tutje shtoi se nëse arrihet marrëveshja me liderët e Luginës së Preshevës për bashkëngjitje me Kosovën, nuk mund t’i dalë kundër askush.

“Ne kuadër të korrigjimit vlerësoj se është e realizueshme dhe e pranueshme nga ana e jonë kërkesa e institucionalizuar e liderëve të Luginës së Preshevës për bashkëngjitje me Kosovën nëse ka marrëveshje dhe pajtueshmëri të dyanshme, askush nuk do të mund t’i dal kundër një vullneti të mirë, as Bashkimi Evropian, as NATO as SHBA”, tha Presidenti.

Se kur do të ndodhë takimi i radhës në mes të dy delegacioneve, ai tha se nuk ka ndonjë datë të veçantë, por pritshmëritë janë në fillim të shtatorit.

“Takimi i radhës për dialogun Kosovë-Serbi ende nuk është specifikuar ndonjë ditë, por unë shpresoj që nga fundi i gushtit dhe fillimi i shtator do të kemi një dinamikë më të fuqishme të udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe mbështetur nga SHBA” tha Thaçi.