Teknologji - Threads tani i disponueshëm në të gjithë Evropën
Mirë se vini në Threads! Kështu mund të përmblidhej shkurtimisht mesazhi i përdoruesve të tjerë pasi u bë e ditur se banorët e Bashkimit Evropian tashmë mund të përdorin këtë rrjet të Meta-s, të krijuar si alternativë ndaj platformës X.
Threads në fakt ta kujton shumë platformën X, dmth Twitterin e vjetër. Përdoruesit mund të postojnë lajme, informacione, të diskutojnë tema të ndryshme ose thjesht të shprehin mendimin e tyre. Ai është i disponueshëm për përdorim përmes një aplikacioni të veçantë ose përmes një shfletuesi interneti, dhe përdoruesit mund të identifikohen me një llogari ekzistuese në Instagram (dhe të marrin të gjitha mundësitë e përdorimit) ose pa një llogari (por atëherë ata nuk do të jenë në gjendje të postojnë ose komentojnë në postime).
Me pak fjalë, Threads i ngjan një kombinimi të Twitter dhe Instagram. Përdoruesit mund të shkruajnë një postim që do të jetë deri në 500 karaktere, të përmbajë një video deri në pesë minuta ose të ngarkojnë 10 foto menjëherë. Postimet në Threads mund të ndahen si Tregime në Instagram, postime në Instagram, Platforma X dhe rrjete të tjera sociale.
Shefi i Instagram, Adam Mosseri, njoftoi se postimet në Threads do të jenë të dukshme në platforma të tjera falë protokollit ActivityPub. Sipas tij, ata duan ta bëjnë Threads të ndërveprueshëm me aplikacione të tjera në mënyrë që njerëzit të mund të gjejnë “komunitete dhe përmbajtje që janë më të rëndësishme për ta, pavarësisht se çfarë aplikacioni përdorin”.
Tani për tani, dihet vetëm se këto do të jenë “platforma fediverse”, pra platforma të pavarura të ndërlidhura që mund të komunikojnë me njëra-tjetrën falë një protokolli të përbashkët. Nëse aplikacione të tjera do të përfshihen në të, një gjë e tillë nuk është zbuluar ende.
Si për kujtesë, Threads u lansua në mënyrë spektakolare në korrik të vitit 2023 dhe në një kohë të shkurtër mblodhi më shumë se 100 milionë përdorues (kryesisht në SHBA). Megjithatë, pas një entuziazmi dhe nxitimi të shkurtër, numri i përdoruesve aktivë filloi të zvogëlohej në mënyrë drastike. Tani vlerësohet se Threads përdoret në mënyrë aktive vetëm nga një e treta e atij numri (rreth 33 milionë), por kjo mund të ndryshojë shumë me hapjen e qasjes për përdoruesit e BE-së./Dnevnik.hr
Përgatiti: Nuhi Shala