Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në takim me Monika Bickert, Zëvendëspresidenten për Politika të Përmbajtjes në Meta. Foto: ZKM

Kurti takon zyrtaren e "Meta"-s, diskutojnë për zgjerimin e mundësive të monetizimit në Facebook për Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar sot me Monika Bickert, zëvendëspresidenten për politika të përmbajtjes në “Meta”, kompaninë amë të Facebook, Instagram dhe WhatsApp.

Ndër çështjet kryesore që u diskutua në takim, sipas Zyrës së Kryeministrit, ishte zgjerimi i mundësive të monetizimit në Facebook për Kosovën.

“Aktualisht, vendi ynë përballet me kufizime për të shfrytëzuar shumicën e veçorive të monetizimit në Facebook. Hyrja e monetizimit në Kosovë mund të liberalizojë ndjeshëm tregun, duke krijuar mundësi të konsiderueshme për krijuesit lokalë për të përfituar përmes platformës së Facebook-ut” – thuhet në njoftim.

ZKM tregoi se kryeministri Kurti e njoftoi Bickert me veçoritë e politikave dhe tregut të punës e shërbimeve që e karakterizojnë Kosovën, vëmendjen e Qeverisë ndaj agjendës së saj digjitale dhe potencialin që vendi ynë ka në fushën e teknologjisë.

Gjithashtu u njoftua se shefi i ekzekutivit ftoi Bickert që ta vizitojë Kosovën për të konsideruar mundësitë e bashkëpunimit dhe për të marrë pjesë në ngjarjet që planifikohen të organizohen në Prishtinë në fushën e teknologjisë.

Ky takim u zhvillua në kuadër të ditës së tretë të Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në takim me Monika Bickert, Zëvendëspresidenten për Politika të Përmbajtjes në Meta. Foto: ZKM