Facebook feston 20 vjetorin me rritje të mëtejme të përdoruesve

Platforma Facebook u themelua fillimisht 20 vjet më parë si një vend për rrjetet e të rinjve, por që atëherë ajo është bërë një gjigant i madh.

Facebook fillimisht u lansua si thefacebook.com, e themeluar nga Mark Zuckerberg, i cili ende drejton kompaninë, me tre miq më 4 shkurt 2004, kur fillimisht ishte e kufizuar për studentët e Kolegjit të Harvardit.

Më pas Facebook u bë i disponueshëm për studentët në universitete të tjera amerikane përpara se të hapej për të gjithë në vitin 2006.

Numri i përdoruesve është vazhdimisht në rritje

Facebook është bërë një vend për t’u lidhur me këdo, kudo, dhe deri në vitin 2023 raportohet të përdoret nga më shumë se tre miliardë njerëz në muaj, një rritje prej tre për qind nga viti në vit.

Sot, më shumë se gjysma e përdoruesve të Facebook janë midis moshës 18 dhe 34 vjeç, sipas të dhënave nga kompania e informacionit në internet DataReportal. Megjithatë, është ende e vështirë të vlerësohet se sa të angazhuar janë përdoruesit e tillë në rrjetin social.

Rritja  e Facebook duke e blerë Instagram dhe WhatsApp

Në veçanti, Facebook fitoi një reputacion duke i blerë aplikacionet Instagram dhe WhatsApp.

Blerja e Instagramit në vitin 2012 si pjesë e një ndryshimi drejt stilit të jetës së smartfonëve doli të jetë një nga vendimet më të mira të biznesit të Facebook.

Ky vendim e eliminoi një rival, siguroi një forum të ri për reklamat dhe tërhoqi përdoruesit më të rinj të internetit që po humbnin interesin për Facebook.

As kritikat dhe as akuzat nuk e shkatërruan Facebookun

Në vitin 2021, Facebook u kritikua për shkak të akuzave se udhëheqësit i vendosin fitimet mbi sigurinë dhe mirëqenien e përdoruesve. Por pavarësisht gjithçkaje, Facebook vazhdoi të rritet.

Zgjerimi i këtij titani teknologjik i ka dhënë mundësinë të njëjtit të investojë në inovacione duke përfshirë inteligjencën artificiale dhe realitetin virtual.

Facebook ndryshoi emrin e kompanisë së saj mëmë në “Meta” në fund të vitit 2021, duke thënë se kjo ishte për shkak të vizionit të Zuckerberg për botën virtuale të quajtur “metaverse” si platforma tjetër e madhe informatike./Klix.ba

Përgatiti: Nuhi Shala