Zyrtarët e Komunës së Deçanit djegin produktet e Serbisë

Pas rritjes së taksës për 100% për produktet e Serbisë, zyrtarët e Komunës së Deçanit, sot në formë bojkoti kanë djegur disa produkte të Serbisë.

Këtë e ka bërë të ditur shefi i grupit të asambleistëve të AAK-së, Rifat Stojkaj përmes një disa fotografive të publikuara në facebook.

“Nga Qyteti i Deçanit ju bëjmë thirrje dhe i inkurajojmë gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që t’i bojkotojnë të gjitha produktet me origjinë Serbe. Të gjithë në përkrahje të vendimit të Qeverisë Haradinaj”, ka shkruar Stojkaj në Facebook.

Qeveria e Kosovës e ka rritur  dje në 100 për qind taksën doganore ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës.

Qeveria e Kosovës ka ndryshuar vendimin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI) e cila me 6 nëntor vendosi masë mbrojtëse 10 për qind për produktet e importuara me origjinë nga Serbia e Bosnja e Hercegovina.