Zvicra Kërkon Ujë më Cilësor në Kosovë

Ambasadorja e Zvicrës në Kosovë, Kristina Marty- Lang, tha se Zvicra e cila është edhe një nga investitorët më të mëdhenj kërkon që Kosova të këtë një cilësi më të mirë të ujit.

“Qeveria e Zvicrës është optimiste se përmirësimi i performancës së stafit dhe të menaxherëve te institucioneve publike Kosova do të përfitojë me cilësi më të mira të ujit si për nga cilësia ashtu edhe nga sasia me një çmim të arsyeshëm”, tha ajo.

Sipas saj, që nga viti 1999 Zvicra ka investuar rreth 70 milion euro në sektorin e ujit prandaj edhe kërkon qasje të barabartë në ujë dhe në kanalizim si nevojë themelore.

“Qeveria e Zvicrës së bashku me qeverinë e Kosovës dhe me donatorë të tjerë ka përkrahur sektorin e sanitarisë dhe të ujit në Kosovë që nga infrastruktura ujore deri tek ndërtimi i institucioneve dhe çështje që kanë të bëjnë me ujin”, tha ajo.

Kryeministri Isa Mustafa tha se ekzisto nevoja që Kosovë të investohet për ta mbrojtur ujin e pijshëm.

“Me Programin Qeverisës por edhe me planet e Ministrisë ne i kemi identifikuar projektet dhe zonat në të cilat do të investojmë”, tha Mustafa.

Edhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani kërkoi përdorim racional të ujit dhe kujdes që ai të mos ndotët.

“Uji dhe puna është motoja Ndërkombëtare për këtë ditë ndërsa për Kosovën kemi zgjedhur një moto shtesë të gjithë së bashku për një cilësi më të mirë të ujërave”, tha ai.

Ai kërkoi cilësi jo vetëm të ujit të pijshëm por të ujit në përgjithësi duke përfshirë burimet nëntokësore dhe lumenj.

“Bindja se uji është i mjaftueshëm ka sjellë deri tek ajo se një numër i lumenjve tanë janë shndërruar kolektorë për shkarkimin e ujërave të ndotura mirëpo kjo duhet të ndërpritet pasi që aftësitë e vetëpastrimit nuk janë të atilla së të bëjnë vetëpastrimin për periudha të shkurtra”, tha Agani.

Në kuadër të Ditës Botërore të Ujit u kërkua edhe përfshirja më e madhe e femrave në këtë sektor dhe për këtë arsye u zgjodh Selvete Hoxha-Krasniqi si Ambasadore e Ujit.