Zogiani: Investimi i Qeverisë për zgjatjen e pistës së Aeroportit në kundërshtim me MSA-në

Avni Zogiani nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë investimi prej 34 milionë euro i Qeverisë së Kosovës për zgjatjen e pistës së Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës përveç që është në kundërshtim me Ligjin për Menaxhim të Financave Publike dhe Ligjin për Prokurim Publik, është në kundërshtim edhe me Marrëveshjen për Stabilizim Asocim (MSA), nënshkruese e së cilës tashmë është Kosova.

“Kjo kontratë është arritur me thyerje të të gjitha ligjeve që vlejnë në Kosovë, që zbatohen në Kosovë dhe po ashtu kjo kontratë ka bërë edhe thyerjen e rregullave të Bashkësisë Evropiane përkatësisht të Marrëveshjes për Stabilizim Asocim, nënshkruese e së cilës Kosova tashmë është. Duke qenë se përmes kësaj marrëveshje (MSA) i ndalohet Qeverisë që të investojë para në sektorin provat për shkak se në këtë mënyrë ajo bën çrregullimin e tregut”, ka deklaruar Zogiani.

Sipas tij është bërë shkelja e Ligjit për Prokurim Publik sepse ai kërkon që investimet e Qeverisë të kalojnë nëprmjet një procesi konkurrues, gjë që nuk ka ndodhur në këtë rast.

Zogiani ka thënë se sipas një kontrate për koncesionim të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, kjo kompani (LIMAK) tashmë e posedon, përkatësisht ka të drejta pronësore mbi Aeroportin e Prishtinës dhe kjo kontratë e Qeverisë bën që praktikisht Qeveria të investojë në një kompani private.

“Fakti që i njëjti grup interesi gjendet jo vetëm pas Aeroportit Ndërkombëtar të Kosovës, por ajo është po ashtu operatore në distribucionin për energji në Kosovë, lë fort dyshime se Qeveria ka interesa të përziera me këtë grup interesi”, ka deklaruar Zogiani.

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Zogiani ka tërhequr një paralele me rastin e 53 milionë eurove për Bechtel & Enka duke thënë se në këto raste Qeveria është duke shpërblyer këto komapani.

“Kompanitë me të cilat ka interesa të lidhura, kompani të cilat në fakt kanë qenë të dyshuara që nga fillimi se janë futur në marrëdhënie korruptive me interesa të partive politike të cilat kanë qeverisur Kosovën tash e sa vite”, ka përfunduar Zogiani.

Më herët Kallxo.com ka raportuar për analizën e analistit financiar, Hekuran Murati mbi kontratën për zgjatjen e pistës së Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari’, që sipas tij është e jashtëligjshme.

Murati tha se kontrata që nuk ishte publikuar për një kohë do t’i kushtojë 84 milionë euro Kosovës dhe e njëjta është në kundërshtim me Ligjin për Financat Publike dhe Ligjin e Prokurimit Publik.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj gjatë një vizite për inspektimin e punimeve në Aeroport kishte thënë se kosto e zgjatjes së pistës së Aeroportit do të mbulohet nga buxheti i Republikës së Kosovës. Lekaj tha se këtë vit do të paguhen vetëm 2.2 milionë euro.

“Zgjatja e kësaj piste e tëra do të kushtojë 32 milionë dhe do të paguhet për 2 vite: këtë vit 2.2 milionë euro, në vitin 2019 do të paguhen 10 milionë euro, ndërsa vitin pasues 20 milionë euro”, tha Lekaj.

Emisioni Jeta në Kosovë ka trajtuar në një emision zgjatjen e pistës së Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës me vlerë prej 34 milionë eurove.

Pjesëmarrës në debat kanë qenë Hekuran Murati, analist financiar, Besnik Bislimi – VV, profesor në AUK, Eset Berisha – Ministria Infrastrukturës, Haki Abazi – Instituti i demokracive në zhvillim dhe Korab Sejdiu, deputet.