Foto-ilustrim

Zbulohen Mjete që Dyshohen se Janë Vjedhur

Arrestimi i një personi ndodhi pas raportimit të një banori të fshatit Lloshkobare për vjedhje të veshmbathjeve në shtëpinë e tij në vlerën e 500 eurove.

I arrestuari i pranoi këto vjedhje, ndërsa policia gjatë bastisjes së një objekti përcjellës të shtëpisë së të dyshuarit zbuloi mjete të ndryshme që dyshohet se janë vjedhur.

“Pas arrestimit tëtë dyshuarit gjatë kontrollit të kryer në një objekt përcjellës të shtëpisë së tij, policia ka gjetur dhe konfiskuar vegla pune dhe gjësende të cilat i dyshuari i kishte fshehur”, thuhet në komunikatën e policisë.

Sipas komunikatës hetuesit policor kanë konfiskuar 9 makina për prerjen e barit, një motoçikletë, dy biçikleta, një autobateri, një motorsharrë, një palë gërshërë armature, një invertor dhe një prerëse pllakash të qeramikës.

Me urdhër të prokurorit të dyshuarit i është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë.

Në rastin tjetër, hetuesit policorë kanë shoqëruar në polici dy persona  të mitur të cilët dyshohet të kenë kryer dhjetëra vjedhje në periudhën nëntor 2015- mars 2016.

Komunikata e policisë bën të ditur se të dyshuarit kishin vjedhur kryesisht bateri dhe kasetofona të veturave në lokacione të ndryshme të Ferizajt të cilat më pas ua kishin shitur personave të ndryshëm.

Pas deklaratës së njërit nga të dyshuarit, Njësiti i Hetimeve të Stacionit Policor të Ferizajt në cilësinë e provave konfiskoi 9 kasetofona të ndryshëm.