Foto: Facebook

VV Kërkon nga Prokurori ta Tërheqë Aktakuzën Ndaj Aktivistëve të Saj

Zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë kërkuar nga prokurori i Prokurorisë Speciale, Abdurrahim Islami, ta tërheqë aktakuzën ndaj katër aktivistëve të saj, të akuzuar për sulmin me mjet shpërthyes kundër ndërtesës së Kuvendit të Kosovës në gusht të vitit të kaluar.

Këtë kërkesë e bëri deputetja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, në një konferencë për media gjatë ditës së sotme.

Ajo citoi prokurorin Islami, i cili të enjtën tha në Gjykatë se provat e gjetura në vendin e ngjarjes dhe ekspertizat, përfshirë raportin e FBI-së, nuk tregojnë për ndonjë lidhje ndërmjet të akuzuarve dhe sulmit kundër ndërtesës së Kuvendit.

“Prokurori atë ditë është dashur t heqë dorë nga aktakuza e ngritur më parë. Dhe ne ende e presim këtë“, tha deputetja Haxhiu.

Sipas Haxhiut, secili dëshmitar tregoi se si policia ushtroi trysni në ta dhe deklaratat e tyre janë shkruar ndryshe nga ajo që kanë thënë, pra janë ndryshuar nga Policia.

http://kallxo.com/prokurori-ekspertizat-nuk-lidhin-direkt-te-akuzuarit-sulmin-ne-kuvend/

Albulena Haxhiu tha se Vetëvendosje vazhdon të besojë në pafajësinë e aktivistëve të saj dhe rasti ka qenë i montuar nga pushteti i atëhershëm me qëllim që Vetëvendosje të shpallej organizatë terroriste.

“Pushteti i atëhershëm nga dëshpërimi që dështoi të jetësonte Zajednicën dhe Demarkacionin nisi luftën speciale kundër VV-së, duke ua veshur aktivistëve tanë veprën më të rëndë penale – terrorizmin”, tha ajo.

Tutje, Haxhiu theksoi se nuk ka asnjë motiv tjetër që procesi ndaj aktivistëve të tyre të vazhdojë dhe u bëri thirrje personave zyrtarë që “të mos zhyten më thellë në paligjshmëri”.

“Ne kërkojmë liri të plotë për aktivistët dhe kërkojmë drejtësi për aktivistin tonë Astrit Dehari”, theksoi ajo.