Mimoza Kusari Lila dhe Emin Lati

Kusari – Lila e quan 'drejtësi selektive' vendimin e gjykatës personin që e kanosi

“Drejtësi selektive” e ka quajtur deputetja Mimoza Kusari – Lila vendimin e gjyqtarit Driton Berisha që dënoi me 400 euro gjobë Emin Latin.

Lati akuzohej nga prokuroria se kishte kanosur deputetet Kusari Lila gjatë një interviste në televizionin “T7” me fjalët “Jena ligë na veteranët, se ata duhet me ngreh zhag nëpër asfalt, deri të ia qesim eshnat në tokë”.

Kjo drejtësi, sipas saj varet kryekëput nga përkatësia politike e palës së dëmtuar.

Kusari – Lila ka krahasuar këtë vendim me dy vendime të tjera të të njëjtit gjyqtar, ku paditës kanë qenë deputetët e opozitës, Ganimete Musliu (PDK) dhe Avdullah Hoti (LDK).

“Në Republikën e Kosovës kanosja e një deputeteje të PDK-së përmes mesazhit, apo një deputeti të LDK-së, dënohet me gjashtë muaj burgim, ndërsa në rast të marrëveshjes me katër muaj burg apo 2,000 Euro gjobë” – ka thënë ajo.

Ndërsa, në rastin e saj ajo tha se gjyqtari në seancë ka marrë edhe rolin e mbrojtësit të të pandehurit.

“Ndërsa, inkuadrimi LIVE në televizion kombëtar dhe veprimi i kanosjes dhe nxitjes e urrejtjes për një deputete të LVV-së, të ofron mundësinë e marrëveshjes me Prokurorinë, hedhjen poshtë të njërës vepër penale, si dhe uljen e dënimit me gjobë në vlerë prej 400 €” – ka shkruar më tej deputetja.

Shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Kusari – Lila ka publikuar më 08.05.2024 një incizim nga seanca e mbajtur, e që dëgjohet biseda mes gjyqtarit dhe të pandehurit.

Kusari thotë se gjyqtari e udhëzon të pandehurin çka të deklarojë e çka të mos deklarojë duke ndërhyrë direkt edhe në transkriptën e seancës.

Edhe avokati i saj, Driton Musliu është shprehur i pakënaqur me vendimin.

“Nuk jemi të kënaqur aspak me këtë gjobë, këtë e ka shprehur edhe klientja, është shumë pak, dënim i vogël” – i ka thënë Musliu KALLXO.com.

Ndërkaq, avokati i Emin Latit, Agon Rrecaj, e ka konfirmuar për KALLXO.com arritjen marrëveshjes për pranim të fajësisë me prokurorinë dhe ka thënë se klienti i tij është penduar lidhur me deklaratat.

KALLXO.com ka pyetur avokatin e deputetes së Vetëvendosjes nëse do të marrin hapa të tjerë ligjorë lidhur me rastin, i njëjti ka konfirmuar se kjo do të varet nga klientja e tij dhe do të vendoset pasi ta pranojnë aktgjykimin.

Çka thotë aktakuza?

Sipas aktakuzës së ngritur me datë 11.01.2024 nga prokurorja Rukije Shasivari, fillimisht Emin Lati është akuzuar për dy vepra penale: Kanosje dhe Nxitje e përçarjes dhe mosdurimit.

Në dosjen e prokurorisë thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se me datë 14.07.2023, në emisionin “Frontal”, në televizionin “T7”, i dyshuari Emin Lati, me qëllim të shkaktimit të frikësimit dhe ankthit e ka kanosur seriozisht deputeten Mimoza Kusari-Lila.

Këtë sipas prokurorisë e ka bërë duke u shprehur me fjalët:

“Jena ligë ne veteranët se atë duhet me e ngreh zhag nëpër asfalt derisa të ja qesim eshtrat në tokë”,

Kjo, sipas organit të ndjekjes ka shkaktuar tek deputetja ndjenjën e frikës dhe ankthit.

Raportimet paraprake të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni duke klikuar këtu.

Avokati i Mimoza Kusarit i pakënaqur me dënimin ndaj personit që e kanosi